Ngjarjet më të mëdha kulturore gjatë vitit 2023 në vendin tonë

31 dhjetor 2023 | 16:26

Arkeologjia në 2023-n ka zë vëmendje të veçantë nga Ministria e Kulturës, ku u zbulua mbishkrimi i Perandorit Justinian në qytetin dardan të Ulpianës. Ky projekt i MKRS-së i gërmimeve në bashkëpunim me Francën dhe Italinë vazhdon drejt zbulimeve të reja edhe në vitin 2024.

Edhe viti 2023 ishte vit i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, promovimit të artit dhe monumenteve të shpëtuara falë ndërhyrjeve emergjente dhe restaurimeve. Gjithashtu, përmes skemave të granteve është përkrahur komuniteti i artit dhe trashëgimisë kulturore, shkruan “Epoka e re”.

Gjatë vitit 2023 me gjashtë akte nënligjore është kompletuar edhe legjislacioni i trashëgimisë kulturore. Një nga to është edhe rregullorja për gërmime arkeologjike.

Muzeu i Kosovës në vitin që lamë pas u bë pjesë e ekspozitës “First Kings of Europe” në Shtetet e Bashkuara, ku po ekspozohet një pjesë e thesarit arkeologjik të Kosovës.

Nga data 4 deri më 12 gusht është organizuar edicioni i 22-të i Festivalit Ndërkombëtar “Dokufest”.

Në festivalin i cili u mbajt në Prizren morën pjesë shumë artdashës nga Evropa, për të përjetuar këtë edicion, pjesë e të cilit ishin 105 filma që u shfaqën për nëntë ditë me radhë.

“DokuFest” u është bashkuar shtatë festivaleve kryesore të dokumentarëve në Evropë për nominimin e një filmi të metrazhit të gjatë dhe një filmi të metrazhit të shkurtër për çmimet “Doc Alliance”. Këtë vit në Prishtinë është organizuar edicioni i 15-të i Festivalit të Filmit “PriFest”.

Nga data 12 deri më 17 shtator filma vendorë dhe ndërkombëtarë garuan për çmimet e rëndësishme të festivalit në kategorinë e filmit të metrazhit të shkurtër dhe të mesëm.

Nga zbulimet arkeologjike e deri te festivalet e muzikës, ky vit pati një shumëllojshmëri të veprimtarive që kanë mbushur skenën kulturore me emocion dhe kreativitet, mirëpo ne kemi ndarë me ju vetëm disa nga ngjarjet që shënuan vitin 2023.

Miratohet Projektligji për Artin dhe Kulturën

Kuvendi i Kosovës në dhjetor ka miratuar Projektligjin për Artin dhe Kulturën. Ky ligj i ri do të ofrojë kushte më të favorshme për krijimtari artistike, më pak burokraci, më shumë program artistik e kreativitet, forma të reja të mbështetjes së institucioneve publike të artit dhe skenës kulturore, bazë ligjore për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor dhe Këshillit Kombëtar të Arteve, njohje ligjore të skenës së pavarur dhe statusit të artistit të pavarur e artistëve meritorë. Me këtë ligj vendoset standard i ri, politikë kulturore me vizion të qartë zhvillimor.

Kosova bëhet anëtare e EYCA-s

Kosova është anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare EYCA – European Youth Card Association (Shoqata Evropiane e Kartës Rinore). Me seli në Bruksel, EYCA bën bashkë 30 shtete të Evropës të cilat lëshojnë Kartën Evropiane të Rinisë për mbi 7 milionë të rinj. Pas aplikimit të suksesshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, qeveria do ta ofrojë kartën pa pagesë për të gjithë të rinjtë nën moshën 30-vjeçare, pavarësisht gjinisë, përkatësisë etnike, aftësive apo statusit socio-ekonomik. Karta do të jetë e qasshme në formë digjitale, në të gjitha gjuhët zyrtare të vendit tonë. Karta do t’u japë të rinjve qasje në mbi 60 000 zbritje dhe benefite në transport, akomodim, kulturë, sport, arsim, shërbime dhe produkte kudo në Evropë.

Autostrada Biennale, ndër 10 ekspozitat më të mira në Evropë

Autostrada Biennale është përzgjedhur një nga 10 ekspozitat më të mira në Evropë për vitin 2023 nga Frieze Edicioni i katërt i Autostrada Biennale, “Të gjitha imazhet do të zhduken, një ditë” kuruar nga Joanna Warsza dhe Övul Ö. Durmusoglu, është vlerësuar nga magazina Frieze si një nga 10 ekspozitat më të mira në Evropë për vitin 2023. Autostrada Bienale e cila nisi rrugëtimin fillimisht në Prizren, pastaj u shtri edhe në Prishtinë, Mitrovicë e Pejë ka mbështetës kryesor Ministrinë e Kulturës.

Filharmonia e Kosovës përmbylli 2023-n me mbi 50 aktivitete

Një vit i jashtëzakonshëm i Filharmonisë së Kosovës, e cila e përmbylli 2023-n me mbi 50 aktivitete. Viti 2024 do të jetë ende më emocionues. Parapërgatitjet për koncertin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës kanë filluar qysh tash, ashtu sikur për aktivitetet e tjera që do t’i sjellin për publikun në Kosovë dhe jashtë saj.

Ndërron jetë artisti Mirush Kabashi

Më 5 dhjetor ka ndërruar jetë mjeshtri i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Mirush Kabashi. Ai ishte një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë për kontributin e madh në rreth 100 role në teatër dhe filma duke veçuar atë të Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit” që shënon kulmin e tij artistik, si prezantues e pedagog. Për të arriturat e tij flasin çmimet e shumta vendore e ndërkombëtare si dhe titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Rita Ora dhe Taika Waititi në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, pritën më 27 nëntor në takim yllin botëror nga Kosova, Rita Ora, bashkëshortin e saj, regjisorin Taika Waititi, aktoren e producenten Odessa Rae, të dy fitues të çmimeve Oscar, si dhe Besnik Sahatçiun dhe Elena Orën. Gjatë takimit folën për fushën e artit dhe kulturës në Kosovë.

Pasurohet koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës me 60 vepra të reja

Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës është pasuruar me mbi 60 vepra të reja nga 40 artistët e përzgjedhur përmes thirrjes së këtij viti për blerjen e veprave, të cilët kanë filluar dorëzimin e veprave në GKK. Me një fokus të fortë në diversifikimin e koleksionit dhe duke përfshirë artistë dhe mediume të nënpërfaqësuara dhe të reja, blerjet e fundit përfshijnë vepra si nga artistë të njohur ashtu edhe në zhvillim dhe mbulojnë një gamë të gjerë të temave dhe mediumeve që variojnë nga skulptura dhe piktura te video dhe instalimet, punimet në letër, grafikat, fotografia, zëri dhe tekstili.

Kosova me Festival të Këngës

Për organizimin e kësaj ngjarjeje historike e madhështore më 27 tetor, Ministria e Kulturës ka dhënë 300 000 euro. Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta dhe prezantuesi Besim Dina, ishin fytyrat kryesore të kësaj ngjarje të rëndësishme të cilët me një ndërthurje të mahnitshme moderuan gjithë festivalin. Ngjarja është më shumë se një festival. Është kthesë serioze për muzikën shqipe, duke e afruar më pranë zemrës së publikut dhe, njëkohësisht, duke e shtruar rrugën për në Eurosong.

Miratohet Projektligji për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta

Më 21 shtator deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan Projektligjin për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta dhe 27 amendamentet e këtij ligji. Përmes projektligjit, ndër të tjera, do të sigurohet një nivel i lartë i mbrojtjes të të drejtave të autorit, krijimtarisë shkencore e artistike, rregullohet statusi i Task Forcës kundër Piratërisë, ofrohet mundësia e zgjidhjes së kontesteve në të drejtën e autorit përmes mjeteve alternative si ndërmjetësimi dhe arbitrazhi.

Vdes aktori Xhevat Qorraj

Më 23 gusht ka ndërruar jetë aktori Xhevat Qorraj. Përveç si artist i jashtëzakonshëm i roleve dhe çmimeve të shumta, Qorraj ishte një figurë e respektuar dhe aktivist i përkushtuar për kulturën. Përmes angazhimit të tij për të promovuar vlerat e artit, ai ka ndikuar në ndërgjegjen kulturore të shoqërisë. Kontributi i tij i veçantë për artin dhe kulturën e Kosovës ka bërë që emri i tij të mbetet një shembull frymëzues për të ardhmen.

Baleti Kombëtar i Kosovës sjell dy çmime nga Italia

Prania kulturore e Kosovës në skenën ndërkombëtare është lartësuar edhe në vitin 2023. Performanca magjepsëse “Shtegtim”, e realizuar në mënyrë të përsosur nga trupa e Baleti Kombëtar i Kosovës, pas shfaqjeve në dy qytetet italiane, Villapiana dhe Altomonte, ka siguruar dy çmime. Më 17 korrik balerinët Fatmir Smani dhe Aulonë Nuhiu u shpërblyen nga Festivali Ndërkombëtar ‘Fini Dance Festival’, në kategoritë ‘Kërcimtari më i mirë’ dhe ‘Kërcimtarja më e mirë’. Ky sukses është dëshmi e talentit, pasionit dhe punës së palodhur të balerinëve tanë.

Vdes Shyqri Nimani, kaligrafisti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës

Më 22 qershor ka ndërruar jetë profesori dhe artisti kombëtar Shyqri Nimani. Ai la prapa një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike. Teksa kujtojmë vetëm disa nga veprat e tij, si dorëshkrimin e artë në aktin themeltar të shtetit tonë, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, krijimin e logos identifikuese të Grand Hotelit, Kosova Filmit deri te simboli i Universitetit të Prishtinës, Nimani me meritë të plotë e të padiskutueshme ka zënë një vend nderi në listën e gjatë të krijuesve dhe studiuesve të kohës sonë.

Miratohet Ligji për Kinematografinë në Kosovë

Më 15 qershor Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Kinematografinë, i cili i dërgon filmat tanë në nivele më të larta të suksesit ndërkombëtar. Me miratimin e këtij ligji niveli i mbështetjes publike për nivelin e filmave ngrehet 80 %, ndërsa për filmbërësit deri në 100 %. Krijohet skema e rabatit për tërheqje të investimeve të huaja në Kosovë, që parasheh rimbursimin e 30 % të investimit për produksionet e huaja që prodhojnë filma në territorin e Kosovës. Këto janë vetëm disa nga risitë në ligjin e ri.

Hapet Pavijoni i Kosovës në edicionin e 76-të të Festivalit të Kanës

Për të dymbëdhjetin vit me radhë, më 17 maj, Qendra Kinematografike e Kosovës prezantohet në tregun më të rëndësishëm të filmit ‘Marche Du Film’ në Festivalin e Kanës. Ndër të tjera, do të promovohen filmat e fundit kosovarë në kategori dhe faza të ndryshme të zhvillimit, takime me partnerë ndërkombëtarë të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare, producentë e distributorë.

Lansohet programi “Arti në shkolla”

Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe institucione të tjera partnere në nivelin qendror dhe lokal, më 12 maj u lansua programi ndërministror “Arti në Shkolla”. Programi parasheh orë të veçanta të artit të cilat do ta sjellin artistin në klasën shkollore; vizitat direkte në institucionet kulturore dhe në monumente të trashëgimisë kulturore; organizmin e nxënësve për pjesëmarrje në shfaqje të ndryshme artistike; themelimin e art klubeve në shkolla, që do të shërbejnë si platforma për aktivizmin e nxënësve që shprehin interesim dhe talent në cilëndo gjini të caktuar artistike: lexim, teatër, muzikë, trashëgimi kulturore apo të tjera.

44 asete nga lista e trashëgimisë kulturore në rrezik mbrohen përmes programit të MKRS-së

44 asete nga lista e trashëgimisë kulturore në rrezik do të mbrohen përmes programit të MKRS-së për ndërhyrje konservuese – restauruese. Kërkesa për rialokim të mjeteve financiare është aprovuar në mbledhjen e 12 prillit të Qeverisë së Kosovës. Në këtë mbledhje u tha se përmirësimi i gjendjes fizike të aseteve të trashëgimisë kulturore në rrezik dhe rifunksionalizimi i tyre mbetet ndër prioritetet kryesore.

Vdes arkeologia Edi Shukriu

Më 17 janar ka ndërruar jetë arkeologia Edi Shukriu. Edi Shkuriu ishte një emër i njohur në fushën e arkeologjisë, poezisë e veprimtare politike. Ajo inicioi dhe themeloi Degën e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, me drejtimet Antropologji Kulturore dhe Arkeologji, ku ligjëroi disa lëndë. Ishte autore e shumë botimeve monografike nga fusha e arkeologjisë dhe historisë, por edhe nga fusha e letërsisë. Veprimtaria e saj shkencore dhe profesionale në fushën e arkeologjisë dhe historisë antike, në mbrojtjen e integruar të trashëgimisë kulturore dhe prezantimit të trashëgimisë kulturore në vend, do të mbahet mend gjatë dhe do të çmohet gjithmonë.

(Faton DËRMAKU)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i çështjeve ekonomike, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës,…