NGJARJET MË TË RËNDËSISHME NË BOTË GJATË VITIT 2020

31 dhjetor 2020 | 10:16

Pandemia globale Covid-19, humbja e Donald Trumpit dhe fitorja e Joe Biden kanë qenë lajmet kryesore që kanë karakterizuar botën gjatë vitit 2020. Po gjatë vitit që po lëmë pas kanë ndodhur edhe disa ngjarje siç është ajo e vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani nga ShBA-ja, zbulimi i vaksinës kundër Covidit, luftimet në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit etj.

ShBA-ja vret gjeneralin e forcave elite të Iranit

3 janar – Gjenerali Qasem Soleimani, kreu i forcave elite të Gardës Revolucionare të Iranit, është vrarë nga forcat amerikane në Irak. Pentagoni ka konfirmuar se ai është vrarë me “vendim të presidentit”. Gjenerali Soleimani ka qenë në makinë teksa ishte nisur në aeroportin e Bagdadit, bashkë me milicitë e përkrahura nga Irani, kur është qëlluar përmes një sulmi ajror të Shteteve të Bashkuara. Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë se “hakmarrje e ashpër i pret kriminelët” mbrapa këtij sulmi. Ai ka shpallur tri ditë zie.

Bie borë në shkretëtirën e Arabisë Saudite

11 janar – Reshjet e mëdha të borës mbuluan rajonet veriperëndimore të Arabisë Saudite, veçanërisht në malet Dahr. Pamjet janë bërë virale në rrjetet sociale, pasi janë publikuar nga mediat vendore. Shkak i motit jo të zakontë janë bërë temperaturat që në disa zona kanë rënë nën zero gradë.

Britania largohet zyrtarisht nga BE-ja

1 shkurt – Britania nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian. Ky vend i ka dhënë fund anëtarësisë 47-vjeçare në bllokun evropian, duke e lënë atë me 27 anëtarë. Britania tani e tutje do të konsiderohet nga BE-ja shteti i tretë dhe përfaqësimi i saj i përhershëm në këtë bllok do të shndërrohet në mision të jashtëm. Pas largimit, Mbretëria e Bashkuar do të hyjë në një periudhë transitore 11-mujore, në të cilën do t’i zbatojë rregullat e bllokut evropian, mirëpo nuk do të përfaqësohet në institucionet e tij. Kjo periudhë pritet të zgjasë deri më 31 dhjetor të këtij viti. Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Senati e shfajëson presidentin Trump

5 shkurt – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është liruar nga akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, të cilat përbëjnë bazë për shkarkim nga detyra. Senati i Shteteve të Bashkuara, i udhëhequr nga Partia Republikane e presidentit, votoi të mërkurën për shfajësimin e tij. Votimi u zhvillua veç e veç për të dyja akuzat. Për akuzën e parë, abuzim të pushtetit, 52 senatorë votuan për shfajësimin e presidentit, ndërsa 48 për fajësimin e tij. Ndërkaq, për akuzën e dytë, pengim të punës së Kongresit, 53 vota ishin për shfajësim, 47 për fajësim.

Gjashtëmbëdhjetë të vrarë në një sulm në Kanada

20 prill – Një person i armatosur dhe i veshur si oficer i policisë ka kryer një sulm duke vrarë 16 veta në provincën kanadeze Nova Scotia. Ky është sulmi më vdekjeprurës në historinë e Kanadasë. Autoritetet thanë se edhe sulmuesi është vrarë. Në mesin e të vrarëve është edhe një oficere e policisë. Disa trupa u gjetën brenda dhe jashtë një shtëpie në qytezën e vogël Portapique, rreth 100 kilometra në veri të Halifaxit, në atë që policia e quajti skena e parë e krimit.

Vrasja e George Floyd shkakton zemërim në ShBA

25 maj – George Floyd, një burrë me ngjyrë 46 vjeç, është vrarë në Minesota nga një oficer i policisë, pasi ia kishte vënë këmbën në qafë për gati nëntë minuta. Policia fillimisht pretendoi se Floyd i kishte rezistuar arrestimit, por pasi pamjet e kamerave të sigurisë dhe videot e bëra nga dëshmitarët qarkulluan gjerësisht, të katër oficerët u pushuan nga puna. Vdekja e Floydit ka shkaktuar demonstrata dhe protesta në të gjithë botën kundër përdorimit të forcës së tepërt nga policia, mungesës së përgjegjësisë së policisë dhe racizmit të policisë. Protestat në zonën metropolitane Minneapolis-Saint Paul janë bërë të dhunshme pasi një zonë policie dhe dy dyqane janë djegur dhe plaçkitur. Disa demonstrues ishin përplasur me policinë, të cilët qëlluan me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Anulohet Haxhi, shkak pandemia

22 qershor – Arabia Saudite do të lejojë vetëm “një numër shumë të kufizuar” të njerëzve, të cilët jetojnë në këtë Arabi, të mund ta bëjnë haxhillëkun tradicional, që fillon nga fundi i korrikut. “Për shkak të situatës me pandeminë Covid-19 në nivel botëror, haxhillëku këtë vit do të mbahet me numër shumë të kufizuar të personave nga të gjitha kombësitë që jetojnë në Arabinë Saudite”, është thënë në njoftimin e Ministrisë për Haxhillëk dhe Umre. Më shumë se dy milionë persona për çdo vit shkojnë në haxhillëkun tradicional në qytetin e shenjtë Mekë.

Shpërthim i fuqishëm në Bejrut

4 gusht – Kryeqyteti i Libanit, Bejruti, është shkatërruar nga një prej shpërthimeve më të mëdha jobërthamore në histori. Një zjarr ka përfshirë rezerva prej gati 3 000 tonëve të nitratit të amonit, që janë lënë në pakujdesi afër portit të qytetit. Si pasojë e shpërthimit, shumë shtëpi janë hedhur në ajër. Më shumë se 200 persona kanë vdekur dhe mijëra janë plagosur, situatë që ka nxitur protesta masive dhe dëme ekonomike. Si pasojë e këtij shpërthimi ka dhënë dorëheqje edhe kryeministri i këtij shteti.

Nënshkruhet marrëveshja në mes të Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe

13 gusht – Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nënshkruar një marrëveshje që synon t’i normalizojë marrëdhëniet në mes të këtyre vendeve. Izraeli dhe fqinjët arabë kanë zhvilluar tetë luftëra dhe kanë nënshkruar pak marrëveshje për paqe. Kjo është vetëm marrëveshja e tretë në mes të një vendi të Gjirit Arab dhe Izraelit për krijim të lidhjeve diplomatike. Egjipti ka nënshkruar një marrëveshje të ngjashme më 1979 dhe Jordani më 1994. Izraeli është krijuar më 14 maj të vitit 1948. Ky shtet menjëherë është përballur me sulme nga vendet fqinje si, Egjipti, Jordan, Libani dhe Siria, mirëpo ka arritur t’i zmbrapsë të gjithë.

Për pak sa nuk nis lufta në mes të Turqisë dhe Greqisë

10 gusht – Turqia dërgoi një anije për të kryer një studim sizmik në një zonë të debatueshme në Mesdheun Lindor, një veprim që Greqia e konsideron të paligjshëm dhe që ka të ngjarë t’i rrisë tensionet mes dy aleatëve të NATO-s. Në paralajmërimin e lëshuar nga marina turke është thënë se anija “Oruc Reis” do të veprojë në zonë gjatë dy javëve të ardhshme. Ky veprim i Turqisë ka ngjallur reagime të shumta, duke përfshirë edhe reagimin e Greqisë. Dy vendet kanë mosmarrëveshje për shkak të pretendimeve territoriale mbi burimet e hidrokarbureve në rajon.

Helmohet kundërshtari më i ashpër i Putinit

20 gusht – Politikani i opozitës ruse, Alexei Navalny, është helmuar pasi kishte pirë një filxhan çaj. Ai ka qëndruar për disa ditë në komë në një spital në Gjermani. Alexei Navalny ka akuzuar në vazhdimësi presidentin rus Vladimir Putin për helmimin, por një gjë të tillë është mohuar nga ky i fundit.

Lufta Armeni – Azerbajxhan

27 shtator – Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar luftime të ashpra në rajonin e Nagorno Karabakut. Luftimet kanë lënë të vrarë të paktën 1 000 ushtarë dhe civilë. Pas këtyre luftimeve më 10 nëntor është arritur një marrëveshje në mes të këtyre dy shteteve. Kjo marrëveshje ka ngjallur reagime dhe protesta. Kujtojmë se këto luftime po konsiderohen si më të ashprat që prej armëpushimit të vitit 1994 që i kishte dhënë fund luftës ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit për statusin e rajonit të Nagorno Karabakut. Nagorno Karabaku ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por ky rajon kontrollohet nga armenët etnikë që kanë mbështetjen e Jerevanit që prej vitit 1994.

Franca dhe myslimanët

17 tetor – Prerja e kokës së një mësuesi nga një çeçen 18-vjeçar jashtë Parisit është pasur nga vrasja e tre personave në Nicë nga një emigrant tunizian. Për pasojë, Franca ka rritur alarmin e sigurisë në nivelin më të lartë. Sulmet kanë ardhur teksa po zhvillohej një gjykim për masakrën e vitit 2015 në revistën satirike “Charlie Hebdo”, e cila ka publikuar karikatura të Profetit Muhamed. Mësuesit i është prerë koka për shfaqje të karikaturave në klasë, derisa është diskutuar për liri të shprehjes, qasje e mbrojtur nga presidenti francez Emmanuel Macron. Karikaturat dhe qëndrimi i Macronit kanë nxitur kombet myslimane që t’i bojkotojnë produktet franceze.

Presidenti Trump infektohet me koronavirus

2 tetor – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania, kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus. Lajmin e kishte bërë me dije vetë presidenti Trump. “Unë dhe Zonja e Parë kemi dalë pozitivë me Covid-19. Do ta nisim karantinën dhe procesin e shërimit menjëherë. Do t’ia dalim bashkë”, kishte shkruar Trumpi në “Twitter”. Ndërsa më 13 tetor, Trumpi kishte njoftuar se ishte shëruar nga Covidi.

Papa Françesku mbështet martesat civile të homoseksualëve

21 tetor – Papa Françesku ka mbështetur martesat civile të homoseksualëve. “Homoseksualët kanë të drejtën të jenë pjesë e një familjeje. Ata janë fëmijë të Perëndisë dhe kanë të drejtën të kenë familje”, ka thënë Ati i Shenjtë në një dokumentar me titull “Françesku”, sipas Agjencisë Katolike të Lajmeve.

Opozita bjelloruse fiton Çmimin Sakharov

22 tetor – Opozita demokratike bjelloruse është nderuar me Çmimin Sakharov për liri të mendimit, që ndahet nga Parlamenti Evropian. Protestat e opozitës kundër Alyaksandr Lukashenkës në Bjellorusi kanë vazhduar që prej zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit. Në këto protesta, mbi 10 mijë persona janë raportuar se janë arrestuar, disa të vdekur dhe qindra të lënduar. Lukanshenka është në krye të Bjellorusisë që nga viti 1994. Ai pretendon se ka fituar në zgjedhjet e 9 gushtit, por opozita thotë rezultatet zgjedhore janë manipuluar dhe fituese e zgjedhjeve është kandidatja opozitare Svyatlana Tsikhanouskaya. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë refuzuar ta pranojnë fitoren e Lukashenkës.

Joe Biden, presidenti i 46 i ShBA-së

3 nëntor – Joe Biden është fitues i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të ShBA-së në 50 shtete dhe Distriktin e Kolumbisë, më 14 dhjetor kanë zyrtarizuar Bidenin president të ardhshëm të ShBA-së. Bideni ka fituar zgjedhjet e nëntorit me 306 vota të Kolegjit Zgjedhor, duke e mundur presidentin aktual Donald Trump, i cili ka fituar 232. Për t’u zgjedhur president i ShBA-së duhen së paku 270 vota të Kolegjit Zgjedhor. Inaugurimi i presidentit të ri pritet të bëhet më 20 janar të vitit 2021.

ShBA-ja tërhiqet zyrtarisht nga Marrëveshja e Parisit për Klimën

4 nëntor – Pas një vonese trevjeçare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë bërë vendi i parë në botë që janë tërhequr zyrtarisht nga Marrëveshja e Parisit për Klimën. Presidenti Donald Trump ka shpallur planet për tërheqje qysh në qershor të vitit 2017, por rregullat e Kombeve të Bashkuara kanë kërkuar që vendimi të hyjë në fuqi vetëm sot, një ditë pas zgjedhjeve në ShBA. Marrëveshja e Parisit për Klimën është hartuar në vitin 2015, për ta forcuar përgjigjen globale ndaj ndryshimeve klimatike. Ajo është nënshkruar gati nga të gjitha vendet. Marrëveshja synon ta mbajë rritjen globale të temperaturës në këtë shekull nën 2 gradë celsius. Trump e ka kundërshtuar marrëveshjen, duke thënë se ajo e pengon biznesin dhe u jep përparësi vendeve të tjera. Ai e ka vënë vazhdimisht në dyshim shkencën e ndryshimit të klimës. ShBA-ja është përgjegjëse për rreth 15 për qind të emetimeve globale të gazrave serë, që thuhet se ndikojnë në ndryshimet klimatike.

Zbulohet vaksina anti-Covid

9 nëntor – Më në fund është zbuluar vaksina që e ndalon infektimin me Covid-19. Kjo vaksinë është zbuluar nga kompania “Pfizer” dhe “BioNTech”. Sipas kësaj kompanie, zbulimi i kësaj vaksine është “zhvillim i madh për shkencën dhe njerëzimin”. Kjo vaksinë tashmë ka nisur të përdoret. Edhe kompania “Moderna” ka zbuluar një vaksinë të tillë.

Ish-kryeministri kroat dënohet për korrupsion

13 nëntor – Ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, është dënuar me tetë vjet burgim, pasi është gjetur fajtor për krijimin e fondeve për partinë e tij konservatore HDZ, duke marrë para nga kompanitë publike përmes një agjencie të marketingut. Sanaderi ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për korrupsion dhe pritet që ta apelojë këtë vendim të gjykatës. Ky ishte një rigjykim i një rasti të mëhershëm, ku Sanadeir ishte dënuar me nëntë vjet burgim më 2013, por vendimi ishte anuluar nga Gjykata Supreme për shkak se ishin gjetur shkelje procedurale. Partia e tij, HDZ, që aktualisht është në pushtet, është gjobitur 550 000 dollarë dhe është urdhëruar nga gjykata që të kthejë 2.1 milionë dollarë fonde, të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Arrihet marrëveshja tregtare pas Brexit-it ndërmjet Britanisë së Madhe dhe BE-së

24 dhjetor – Britania e Madhe ka arritur marrëveshje tregtare pas Brexit-it me Bashkimin Evropian. Marrëveshja është shumë e rëndësishme për raportet e Britanisë së Madhe dhe BE-së pasi një dështim i saj do ta detyronte vendosjen e tarifave të ndërsjella. Qeveria britanike ka thënë se “marrëveshja është një lajm fantastik për familjet dhe bizneset në çdo pjesë të Britanisë së Madhe”. Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

(Përgatiti: Faton Dërmaku / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 31 dhjetor, kryeministri Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në…