Ngjarjet më të rëndësishme në botë në vitin 2018
Bota gjatë vitit 218 është karakterizuar me ngjarje të ndryshme politike, ekonomike dhe ushtarake.
Një ndër ngjarjet kryesore gjatë vitit që po e lëmë pas ka qenë tërheqja e ShBA-së nga marrëveshja për armët bërthamore me Iranin.
Një ngjarje tjetër e rëndësishme ka qenë takimi i presidentit të ShBA-së, Donald Trump, me liderin e Koresë Veriore, Kim Jong Un, si dhe vendimi për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.
ShBA-ja pezullon ndihmat për Pakistan
5 janar – Qeveria amerikane ka pezulluar të paktën 900 milionë dollarë ndihmë për siguri të ushtrisë pakistaneze derisa Islamabadi të marrë “një hap vendimtar” kundër talibanëve afganë dhe rrjetit të militantëve Haqqani që veprojnë brenda kufijve të Pakistanit. Vendimi është njoftuar nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.
Trumpi shkarkon Tillersonin, emëron Pompeon
13 mars – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka shkarkuar nga pozita sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson, duke e zëvendësuar atë me drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo. Duke e falënderuar Tillersonin për shërbimin e tij, Trumpi ka thënë se sekretari i ri i Shtetit do të bëjë “një punë fantastike”. Tillersoni, ish-shef ekzekutiv i kompanisë së naftës “ExxonMobil”, kishte marrë detyrën më 1 shkurt të vitit 2017. Trumpi, po ashtu, ka emëruar Gina Haspelin drejtoreshë të CIA-s.
Vizita historike e Kim Jong Unit në Korenë Jugore
27 prill – Lideri komunist i Koresë Veriore, Kim Jong Un, është bërë lideri i parë i këtij shteti që ka shkelur në territorin e Koresë së Jugut që prej përfundimit të Luftës Koreane të vitit 1953. Ai ka qëndruar në Korenë e Jugut dhe ka marrë pjesë në një samit historik të liderëve të të dyja shteteve. Lideri verikorean Kim Jong Un dhe presidenti i Koresë së Jugut kanë thënë se janë pajtuar të përkushtohen për denuklearizimin e Gadishullit Korean.
Putini betohet president i Rusisë
7 maj – Vladimir Putini është betuar në mandatin e tij të katërt president i Rusisë, duke zgjatur pushtetin e tij 18-vjeçar në këtë shtet. Në ceremoninë e betimit Putini është zotuar se do t’i shërbejë popullit dhe do të punojë për përmirësimin e kushteve për jetesë. Mbështetësit e tij kanë konsideruar se Putini ka ngritur shtetin pas një periudhe të vështirë, kurse kundërshtarët e kanë cilësuar udhëheqjen e tij autokraci të korruptuar.
Amerika tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin
8 maj – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka bërë me dije se vendi i tij do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e nënshkruar në vitin 2015 ndërmjet Republikës Islamike dhe gjashtë fuqive botërore. “Bëj të ditur se ShBA-ja do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Do të nënshkruajë një memorandum presidencial për ta filluar rivendosjen e sanksioneve të ShBA-së mbi regjimin iranian”, ka thënë Trumpi në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë. Ky veprim i Trumpit ka ngjallur reagime në gjithë botën.
Trumpi dhe Kimi nënshkruajnë një dokument
12 qershor – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është takuar me liderin e Koresë Veriore, Kim Jong Un. Gjatë këtij takimi Trumpi ka thënë se denuklearizimi i Gadishullit Korean do të nisë “shumë shpejt”. Trumpi dhe Kimi kanë nënshkruar një dokument të paspecifikuar, pas një takimi ballë për ballë prej 45 minutash dhe bisedimeve më të gjera midis delegacioneve të tyre në një hotel luksoz në ishullin Sentosa të Singaporit.
Erdogani zgjedhet president i Turqisë
24 qershor – Rexhep Taip Erdogan është zgjedhur president i Turqisë. Ai në zgjedhjet presidenciale ka arritur ta fitojë garën për të parin e Turqisë qysh në raundin e parë. Me këto zgjedhje është përmbyllur edhe procesi i futjes së sistemit presidencial në Turqi. Erdogani tashmë është president, shef qeverie dhe kryetar i partisë në të njëjtën kohë.
Merkeli shmang rënien e Qeverisë
3 korrik – Konservatorët e kancelares gjermane Angela Merkel e kanë tejkaluar një mosmarrëveshje për migrimin, që kërcënonte ta rrëzonte koalicionin e saj të brishtë qeverisës. Bisedimet e kanë bindur ministrin e Brendshëm, Horst Seehofer, të heqë dorë nga kërcënimi i tij për dorëheqje. Marrëveshja, e cila e ka sjellë i Qeverinë e Merkelit në prag të kolapsit vetëm tre muaj pasi është formuar, e ka mbajtur atë në detyrë.
ShBA-ja dhe Rusia bëjnë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve
16 korrik – Presidenti i ShBA-së, Donald Trump dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, janë takuar në Helsinki të Finlandës, në samitin e parë prejse Trumpi ka marrë detyrën e presidentit në janar të vitit të kaluar. Putini dhe Trumpi kanë diskutuar për çështjen e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në ShBA më 2016, kontrollin e armëve bërthamore, konfliktet në Siri dhe Ukrainë, tregtinë dhe çështje të tjera.
Vdes Kofi Annani, diplomati që ‘ringjalli’ OKB-në
18 gusht – Kofi Annan, afrikani i parë me ngjyrë që ishte emëruar sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, ka vdekur në moshën 80-vjeçare në Zvicër. Ai ka vdekur paqësisht, pas një sëmundjeje të shkurtër, ka thënë fondacioni i emëruar sipas emrit të tij. Annani ka shërbyer dy mandate si shef i OKB-së nga viti 1997 deri më 2006 dhe ishte nderuar me Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij humanitare. Më vonë ai ka shërbyer si i dërguar special i OKB-së për Siri, duke udhëhequr përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore për konfliktin në këtë shtet.
Ndërron jetë senatori amerikan John McCain
26 gusht – Ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare senatori amerikan John McCain. Lajmin e ka bërë me dije zyra e tij, një ditë pasi nga familja e McCainit ishte thënë se ai e kishte ndërprerë trajtimin e kancerit në tru, me çka ishte diagnostifikuar vitin e kaluar. McCaini ishte veteran i luftës në Vietnam, ndërkaq dy herë kishte garuar për president të ShBA-së, por nuk kishte arritur të fitonte. Senatori McCain do të mbahet mend si mik i madh i shqiptarëve, përkatësisht i shtetit të Kosovës.
Maqedonia dështon ta ndryshojë emrin me referendum
30 shtator – Maqedonia ka dështuar që nëpërmjet referendumit ta ndryshojë emrin në Maqedonia e Veriut, sipas Marrëveshjes së Prespës. Në referendumin për marrëveshjen me Greqinë kanë votuar vetëm 34.09 për qind e trupit të përgjithshëm votues. Pa dështimit të referendumit, Kuvendi i Maqedonisë ka arritur t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për emrin, të cilat pritet të hyjnë në fuqi në momentin e votimit të kësaj marrëveshje edhe nga ana e Kuvendit të Greqisë.
Demokratët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët e mbajnë Senatin
7 nëntor – Demokratët kanë marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet për Kongresin amerikan, ndërsa republikanët kanë mbajtur kontrollin e Senatit, duke krijuar një Kongres të ndarë që do të vendosë pengesa ndaj programit legjislativ të presidentit Donald Trump në dy vjetët e ardhshëm.
Somalezja bën historinë, fiton zgjedhjet për Kongres
7 nëntor – Ilhan Omar, 36-vjeçare, erdhi në Minesota 20 vjet më parë, pasi ishte larguar nga Somalia që ishte përfshirë nga lufta dhe kaloi katër vjet në një kamp refugjatësh në Kenia. Më 6 nëntor, kandidatja e lidhur me Partinë Demokratike është bërë ish-refugjatja e parë dhe gruaja e parë nga Afrika që i bashkohet Dhomës së Përfaqësuesve. Ilhan Omar dhe demokratja Rashida Tlaib nga Detroiti do të jenë gratë e para myslimane në Kongres.
Mbi 600 njerëz të zhdukur nga zjarret në Kaliforni
16 nëntor – Numri i njerëzve të zhdukur nga zjarret në veri të Kalifornisë ka kaluar 600, kanë bërë me dije autoritetet lokale. Si pasojë e këtyre zjarreve janë djegur afro 12 000 ndërtesa. Rreth 9 400 zjarrfikës kanë “luftuar” zjarret në Kaliforni. Historikisht, “stina e zjarreve” në Kaliforni fillonte në verë dhe zgjaste deri në vjeshtën e hershme, por ekspertët patën paralajmëruar për rrezik gjatë gjithë vitit. Kushtet e motit dhe ndryshimet klimatike shihen si shkaktarët kryesorë të këtyre zjarreve.
Nikolla Gruevski fiton azil në Hungari
20 nëntor – Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka bërë me dije se autoritetet hungareze e kanë pranuar kërkesën e tij për azil politik në këtë vend. Njoftimi i Gruevskit ka ardhur vetëm disa çaste pasi Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë ua ka dërguar autoriteteve të Hungarisë kërkesën për ekstradimin e tij. Gruevski ishte arratisur kah mesi i nëntorit në drejtim të Hungarisë
Ndërron jetë ish-presidenti amerikan George H. W. Bush
1 dhjetor – Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), George H. W. Bush, ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare. Bushi ishte presidenti i 41-të i Amerikës, duke e drejtuar këtë vend në vitet gjatë viteve 1989-1993. Ai ishte i ati i ish-presidentit George W. Bush, i cili ka shërbyer në dy mandate në Shtëpinë e Bardhë nga viti 2001 deri në vitin 2008. Bushi i vjetër ka shërbyer edhe si nënpresident për tetë vjet në kohën e presidentit Ronald Reagan para se të zgjidhej në postin e presidentit. Ai ka qenë përkatës i madh i kauzës së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi.
‘Forbes’: Merkeli, gruaja më e fuqishme në botë
4 dhjetor – Sipas revistës “Forbes”, kancelarja gjermane Angela Merkel është renditur e para në listën e grave më të fuqishme në botë. Ajo është renditur e para në këtë listë, pavarësisht pse ka deklaruar se nuk do të jetë në krye të CDU-së dhe se nuk do të garojë për rizgjedhje në pozitën e kancelares më 2021. Megjithatë, ajo aktualisht vazhdon të jetë gruaja që udhëheq ekonominë më të madhe në Evropë. E dyta në listë gjendet kryeministrja britanike Theresa May, e pasur nga udhëheqësja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, francezja Christine Lagarde.
Protesta të dhunshme në Francë
4 dhjetor – Për katër javë rresht (nëntor-dhjetor) Franca është përballur me protesta kundër rritjes së çmimit të karburanteve, rritjen e çmimit të jetesës dhe çështje të tjera. Gjatë protestave 10 persona kanë vdekur dhe rreth 1 000 janë plagosur, ndërsa janë arrestuar rreth 4 340 persona. Po ashtu, si pasojë e këtyre protestave rreth 43 mijë njerëz mbeten pa punë. Pas këtyre protestave Qeveria francez ka marrë vendim ta ulë taksën për naftën.
Annegret Kramp-Karrenbauer, pasardhësja e Angela Merkelit në CDU
7 dhjetor – Delegatët e Kongresit të CDU-së kanë zgjedhur Annegret Kramp-Karrenbauer kryetare të re të kësaj partie, e cila do ta zëvendësojë Angela Merkelin në këtë pozitë. Më herët, Annegret Kramp-Karrenbauer e ka mbajtur postin e sekretares së përgjithshme të CDU-së. Merkeli vazhdon të jetë kancelare e Gjermanisë. Ajo është larguar nga posti i kryetares së partisë pas 18 vjetësh, me një fjalim i cili është përcjellë me brohoritje dhe duartrokitje.
May i mbijeton votëbesimit
12 dhjetor – Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, i ka mbijetuar votëbesimit që është organizuar nga konservatorët e Partisë së saj, Tory. Ajo ka fituar 200 vota në favor të saj, në krahasim me 117 vota të tjera kundër. Për të fituar këtë proces, asaj i janë dashur 159 vota apo gjysma e deputetëve parlamentarë, plus një tjetër votë. Gjatë një takimi me deputetët, May ka thënë se nuk do ta udhëheqë partinë e saj në zgjedhjet e reja. Pas kësaj fitoreje, lidershipi i saj në krye të partisë qeveritare nuk mund të sfidohet së paku një vit.
Marrëveshja për Brexitin mbetet pezull
15 dhjetor – Në më pak se 100 ditë të daljes së Britanisë nga blloku, më 29 mars 2019 marrëveshja e Brexitit ka mbetur pezull me rritje të thirrjeve për dalje pa marrëveshje të re, që do të çonte në shkëputjen e bashkëpunimit ekonomik apo në një referendum të dytë. May e ka pranuar se parlamenti britanik është në bllokadë, pa mbështetje të qartë nga asnjëra palë. Ndërsa liderët e Bashkimit Evropian kanë thënë se marrëveshja për largimin e Britanisë nga BE-ja “nuk është e hapur për rinegociim”, pavarësisht prej kërkesave të Mayt.
Dhuna ndaj gazetarëve në botë shënon rritje gjatë këtij viti
18 dhjetor – Organizata “Reporterët pa kufij” ka bërë më dije se gjatë vitit 2018 të paktën 63 gazetarë profesionistë në mbarë botën janë vrarë duke e bërë punën e tyre, një rritje kjo prej 15 përqindësh krahasuar me vitin e kaluar. Kjo organizatë ka theksuar se 348 gazetarë janë arrestuar në mbarë botën krahasuar me 326 në vitin 2017.
Trupat amerikane tërhiqen nga Siria
20 dhjetor – Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se të gjitha trupat amerikane po tërhiqen nga Siria. Trumpi ka thënë se trupat tërhiqen pasi grupi militant Shteti Islamik është “mposhtur”. Pentagoni ka theksuar se po kalon në një “fazë tjetër të fushatës”, por nuk ka dhënë detaje. Rreth 2 000 trupa amerikane kanë ndihmuar luftën kundër Shtetit Islamik në verilindje të Sirisë, edhe pse besohet se luftëtarët e tij vazhdojnë të mbeten aktivë në disa lagje të vogla.
Jep dorëheqje Mattise, pozitën e tij e zë Shanahani
20 dhjetor – Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, do të largohet nga kjo pozitë në fillim të vitit 2019 pasi, siç ka thënë ai në letrën e dorëheqjes, pikëpamjet e tij nuk janë plotësisht “të përafërta” me ato të presidentit Donald Trump. Pas dorëheqjes së Mattisit, Trumpi në këtë pozitë ka emëruar Patrick Shanahan, i cili ka qenë zëvendëssekretar i Mbrojtjes.
(Përgatiti Faton Dërmaku/Epoka e re)