Ngjarjet që e karakterizuan Kosovën në vitin 2018

31 dhjetor 2018 | 11:18

Republika e Kosovës gjatë vitit 2018 është ballafaquar me sfida të shumta, sidomos në rrafshin ndërkombëtar.

Gjatë vitit që po e lëmë pas Kosova ka dështuar të anëtarësohet në Interpol si dhe nuk ka arritur ta fitojë liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian (BE).

Pavarësisht prej sfidave, Kosova ka arritur ta përmbyllë suksesshëm vitin 2018, duke themeluar ushtrinë e vet.

 

Vritet Oliver Ivanoviqi

16 janar – Kryetari i Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviq, është vrarë në Mitrovicën Veriore. Vrasja e tij ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë dhe jashtë saj. Për vrasjen e Ivanoviqit është diskutuar edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Deri më tani Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona të dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit, por ende nuk dihet se kush e ka kryer vrasjen e tij.

Barbadosi njeh pavarësinë e Kosovës

15 shkurt – Republika e Kosovës është njohur nga shteti i Barbadosit. Lajmin për këtë njohje e ka bërë me dije zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli. Kjo është njohja e vetme që Kosova ka marrë gjatë vitit 2018. Madje gjatë këtij viti është zhvilluar një betejë nga ana e Serbisë për tërheqjen e njohjeve nga disa shtete.

Kosova feston 10-vjetorin e Pavarësisë

17 shkurt – Republika e Kosovës ka shënuar 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Për nder të përvjetorit jubilar të shtetësisë së Kosovës, më 17 shkurt në sheshet kryesore të kryeqytetit kanë parakaluar njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ato të Policisë së Kosovës (PK). Një ditë më pas, më 18 shkurt, është organizuar pritja shtetërore për mysafirët vendorë dhe ndërkombëtarë. Për nder të kësaj feste, presidenti Hashim Thaçi ka ndarë medalje presidenciale për personalitetet të cilat kanë dhënë kontribut për pavarësinë e Kosovës.

12 deputetë të LV-së formojnë grup të ri parlamentar

14 mars – Administrata e Kuvendit të Kosovës ka pranuar kërkesën e deputetit Dardan Sejdiu, të nënshkruar nga 12 deputetë të Vetëvendosjes, për krijimin e grupit të ri parlamentar, me emër Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP), të cilët më vonë kanë ndryshuar emrin në grupin parlamentar të Partisë Socialdemokrate (PSD). Pas këtyre largimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka mbetur me 19 deputetë.

Kosova ratifikon demarkacionin me Malin e Zi

21 mars – Me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Seanca e jashtëzakonshme për demarkacionin është zhvilluar nën tensione e masa të shtuara të sigurisë, pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nëpërmjet hedhjes së gazit lotsjellës kanë tentuar ta pengojnë ratifikimin e demarkacionit. Përfaqësuesit e BE-së, pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, kanë thënë se ky është një hap vendimtar për Kosovën drejt liberalizimit të vizave.

Shteti tërheq zvarrë Marko Gjuriqin

26 mars – Policia e Kosovës ka arrestuar shefin e së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka hyrë ilegalisht në veri të vendit, duke mos respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës. Ndërhyrja e forcave speciale të policisë për ta arrestuar Gjuriqin është bërë në një tryezë në veri të Mitrovicës kur Gjuriqi dhe zyrtarët e tjerë serbë po diskutonin për çështjen e Kosovës dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Më pas Gjuriqi i prangosur është sjellë në stacionin policor në Prishtinë dhe, pas procedurave, është dëbuar për në Serbi.

Kosova depërton gjashtë qytetarë turq

29 mars – Drejtori i Përgjithshëm i Kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Mustafa Erdem, zëvendësi i tij, Yusuf Karabina, drejtori i shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez dhe dy arsimtarë, Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana, janë arrestuar dhe janë deportuar nga Policia e Kosovës për në Turqi. Në mesin e të arrestuarave dhe të dëbuarve është edhe mjeku Osman Karakaja, i cili nuk ishte punonjës i këtyre shkollave. Të gjithë të arrestuarit dhe deportuarit janë qytetarë turq. Ndaj këtij veprimi ka pasur reagime të shumta nga brenda dhe jashtë.

Shkarkohen Sefaj dhe Gashi

30 mars – Arrestimi dhe deportimi për në Turqi i gjashtë drejtuesve dhe mësimdhënësve të Kolegjit “Mehmet Akif” ka çuar në shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme (MPB), Flamur Sefaj dhe të drejtorit Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi. Në vend të Sefajt është emëruar Bejtush Gashi, ndërsa në vend të Gashit, Shpend Maxhuni, ish-drejtor i Policisë së Kosovës.

Jack Smith emërohet kryeprokuror i Gjykatës Speciale

7 maj – Prokurori amerikan Jack Smith është emëruar kryeprokuror i Gjykatës Speciale. Smithi është emëruar pas një procesi të përzgjedhjes, i cili është organizuar nga Bashkimi Evropian (BE). Siç është thënë në njoftimin e Gjykatës Speciale, Smithi ka përvojë në hetime politike të rangut të lartë dhe hetime penale ndërkombëtare. Pas emërimit në këtë pozitë, Smithi ka vizituar Kosovën në muajin tetor.

Shpend Ahmeti zgjedhet kryetar i PSD-së

9 maj – Kuvendi i jashtëzakonshëm i Partisë Socialdemokrate (PSD) ka zgjedhur Shpend Ahmetin kryetar të kësaj partie. Nënkryetarë të PSD-së janë zgjedhur Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, ndërsa sekretare e përgjithshme Aida Dërguti. Në këtë mbledhje është zgjedhur edhe Këshilli Drejtues i PSD-së si dhe është marrë vendimi që kjo parti të tërhiqet nga koalicioni i lidhur me PAN-in para zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Ndërron jetë Hilmi Haradinaj, babai i kryeministrit

16 qershor – Babai i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Hilmi Haradinaj, ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë. Baca Hilmi është varrosur me nderime shtetërore në Gllogjan të Deçanit, aty ku pushojnë edhe dy djemtë e tij heronj, Shkëlzeni dhe Luani. Për ngushëllime në familjen Haradinaj në Gllogjan kanë shkuar personalitetet më të larta shtetërore shqiptare.

Kosova plotëson kushtet, por nuk i liberalizohen vizat

18 korrik – Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar vendimin se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Komisionari i Bashkimit Evropian për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, teksa kanë bërë publik lajmin në një konferencë të përbashkët për medie në Bruksel, e kanë vlerësuar shumë të rëndësishëm për Kosovën rekomandimin pozitiv. Pavarësisht prej kësaj, vendimi se kur qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza nuk është marrë ende, që ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë dhe në BE.

Ndërron jetë Adem Demaçi

26 korrik – Simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë nga e cila po vuante. Ai ka qenë i burgosur politik për 28 vjet gjatë jetës së tij. Për vdekjen e bacës Adem kanë shprehur ngushëllime përfaqësues të institucioneve të Kosovës, liderë partish, organizata të dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë të shumtë.

Thaçi propozon bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën

1 gusht – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur idenë e korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit. Sipas kësaj ideje, Thaçi ka thënë se Lugina e Preshevës do të bashkohet me Kosovën, por nuk ka dhënë ndonjë detaj se çfarë do të jepte Kosova. Ideja e Thaçit për korrigjim të kufijve nuk ka gjetur përkrahje në spektrin politik të Kosovës.

Jep dorëheqje prokurori Elez Blakaj, po hetonte “veteranët mashtrues”

15 gusht – Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit. Blakaj ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për shkak të kërcënimeve gjatë fazës së hetimeve për listat e veteranëve të UÇK-së. Dorëheqja e Blakajt ka ngjallur reagime të shumta për dhe kundër tij. Pas kësaj dorëheqje, më 7 dhjetor është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuza e plotësuar për “veteranët mashtrues”. Kjo aktakuzë përmban emrat e mbi 19 000 personave.

Haradinaj takon Mattisen, merr bekimin për ushtrinë

28 shtator – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me sekretarin e Mbrojtjes së ShBA-së, James Mattis, nga i cili ka marrë mbështetje për transformimin e FSK-së në ushtri. Në këtë takim Haradinaj e ka informuar sekretarin amerikan të Mbrojtjes, se Kosova është e gatshme ta përmbyllë procesin e dialogut me Serbinë dhe ta përfundojë konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të vendit. Sekretari Mattis ka shprehur konsideratat më të larta për popullin e Kosovës dhe ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e fuqishme për transformimin e FSK-së me mision të ri ushtarak.

Presidenti Thaçi viziton liqenin e Ujmanit

29 shtator – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar vendkalimin kufitar Bërnjak, në veri të Kosovës, doganën dhe policinë atje, ndërsa gjatë kthimit ka vizituar liqenin e Ujmanit. Pas lundrimit në liqenin e Ujmanit, Thaçi ka thënë se ky liqen është një aset i mrekullueshëm i Republikës së Kosovës. Thaçi ka thënë se Kosova është një dhe e pandashme. Kjo vizitë është vlerësuar në mënyra të ndryshme në Kosovë, derisa ka pasur reagime të ashpra nga Serbia.

Emërohen dy ministra nga radhët e AKR-së

15 tetor – Ekrem Mustafa është emëruar ministër i ri i Punëve të Brendshme, pas lirimit të këtij posti nga Bejtush Gashi, ndërkaq Fatmir Matoshi është emëruar ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Këto ndryshime janë bërë pas kërkesës së presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli.

Kurzi viziton Kosovën, i jep mbështetje idesë për korrigjimin e kufirit

6 nëntor – Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka vizituar shtetin e Kosovës, ku është pritur në takime të ndara nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Gjatë kësaj vizite ai ka thënë se Austria do ta mbështesë cilëndo marrëveshje të paqes që arrihet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke mos përjashtuar as opsionet për korrigjimin e kufijve.

Thaçi takoi në Paris Trumpin, Merkelin, Macronin dhe Putinin

12 nëntor – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të pjesëmarrjes së presidentit Thaçi në 100-vjetorin e dhënies fund të Luftës së Parë Botërore në Paris, ka takuar presidentin amerikan Donald Trump, kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin rus Vladimir Putin, presidentin francez Emmanuel Macron etj. Gjatë këtyre takimeve është biseduar për dialogun Kosovë – Serbi dhe për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Po ashtu, Thaçi më 26 shtator është takuar me Trampin edhe gjatë vizitës zyrtare në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Kosova dështon të anëtarësohet në Interpol

20 nëntor – Republika e Kosovës nuk ka arritur të bëhet anëtare e Interpolit pasi nuk ka marrë shumicën e nevojshme prej 2/3 të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate. Pas votimit, institucionet e Kosovës kanë shprehur zhgënjimin e tyre të thellë, duke e fajësuar Serbinë për këtë dështim.

Mbahet mbledhja e dy qeverive

26 nëntor – Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë thelluar bashkëpunimin, duke nënshkruar nëntë marrëveshje, protokolle dhe memorandume bashkëpunimi. Me këto marrëveshje, të arritura në mbledhjen e pestë të përbashkët të dy qeverive të mbajtur në Pejë, parashihet që brenda gjashtë muajve të unifikohen doganat, të hiqet romingu dhe masa të tjera. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se është koha për të vënë tarifa 100 për qind në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës.

Japin dorëheqje kryetarët e komunave në veri

27 nëntor – Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani kanë mbetur pa kryetarë legjitimë. Në shenjë revolte ndaj vendosjes së taksës prej 100 përqindësh për produktet serbe, katër kryetarët e këtyre komunave kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre. Dorëheqja e tyre është komentuar në mënyra të ndryshme nga njohësit e proceseve politike dhe politikanët.

MAShT-i ndalon përdorimin e telefonave gjatë procesit mësimor

29 nëntor – Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, në funksion të përmirësimit të mbarëvajtjes së procesit mësimor në shkolla dhe të ngritjes së cilësisë në arsim, ka nënshkruar vendimin për ndalimin e përdorimit të telefonit gjatë procesit mësimor nga mësimdhënësit dhe nxënësit në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në Republikën e Kosovës. Ky vendim është vlerësuar pozitivisht nga të gjithë.

Specialja fton për intervistim Remin, Lushtakun, Dobrunën…

6 dhjetor – Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, është personi i parë që është ftuar për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Gjykatës Speciale në Hagë. Po ashtu, më 10 dhjetor Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim Sokol Dobrunën, ish-kryetar i Gjykatës së UÇK-së. Ndërsa më 11 dhjetor kjo gjykatë ka ftuar për intervisitm edhe komandantin e Zonës Operative të Drenës, Sami Lushtaku dhe ish-eprorin e lartë të UÇK-së, Nazif Mehmeti nga Zona Operative e Llapit etj.

Kosnetti, ambasador i ri i ShBA-së në Kosovë

3 dhjetor – Ambasadori i ri i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ia ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit Hashim Thaçi. Me këtë rast, ambasadori Kosnett ka thënë se është nder i madh për të dhe familjen e tij që të jenë në Kosovë. Ambasadori Kosnett në këtë pozitë ka zëvendësuar Greg Delawie, i cili ka shërbyer në Kosovë për tri vjet.

Veseli viziton Amerikën, i rikonfirmohet mbështetja për ushtrinë

7 dhjetor – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit në ShBA ka vizituar Gardën Kombëtare të Iowas, ku ka parë nga afër mënyrën e organizimit dhe ka diskutuar me të për mbështetjen që i është dhënë deri më tani Forcës së Sigurisë së Kosovës. Veseli është pritur nga gjenerali Timothy Orr dhe drejtues të tjerë të Gardës së Iwëas. Në këtë vizitë Veselit i është konfirmuar edhe një herë mbështetja për FSK-në edhe pas transformimit të saj në ushtri të Kosovës.

ShBA-ja furnizon Kosovën me automjete ushtarake

9 dhjetor – 24 automjete ushtarake “Humvee”, të cilat do të jenë në dispozicion të FSK-së, kanë arritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Këto automjete kanë ardhur gjatë kohës sa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka qenë në vizitë zyrtare në ShBA, ku ka parë nga afër edhe automjetet e blinduara të ushtrisë amerikane që kanë ardhur në Kosovë. Në korrik të këtij viti Qeveria e Kosovës ka nënshkruar kontratë me ShBA-në për blerjen e 51 automjeteve të blinduara “Humvee”.

Kosova bëhet më ushtri

14 dhjetor – Kuvendi i Kosovës ka miratuar tri projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Këto projektligje janë përkrahur nga të gjithë deputetët me përjashtim të atyre të Listës Serbe të cilët nuk kanë marrë pjesë në seancën ku është vendosur për ushtrinë. Mbështetje të fuqishme këtij procesi i kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kuvendi voton ekipin dialogues për bisedime me Serbinë

15 dhjetor – Kuvendi i Kosovës me 59 vota për dhe dy kundër ka votuar ekipin dialogues për dialogun me Serbinë. Po ashtu, Kuvendi ka votuar rezolutën për dialogun e cila është propozuar nga PSD-ja. Ekipit dialogues do t’i prijnë Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, ndërsa anëtarë të këtij ekipi do të jenë: Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Behgjet Pacolli, Mahir Jagxhillar, Dardan Gashi, një përfaqësues i shoqërisë civile, dy vendet e hapura për LDK-në dhe Vetëvendosjen do të zëvendësohen momentalisht nga Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani.

Trumpi i shkruan letër Thaçit

Prishtinë, 18 dhjetor – Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një letër presidentit Hashim Thaçi në të cilën konfirmon përkrahjen për Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë. Trumpi ka vlerësuar se mirëpret përpjekjet e Kosovës për pajtim me Serbinë, duke e inkurajuar presidentin Thaçi dhe liderët e tjerë të Kosovës që ta shfrytëzojnë këtë moment për marrëveshje historike me Serbinë. Një letër të tillë Trumpi ia ka dërguar edhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Vritet polici Izet Demaj

27 dhjetor – Izet Demaj, polic i Policisë së Kosovës, është vrarë në Istog pas një shkëmbimi me armë zjarri me një person që kishte tentuar ta grabiste bankën. Përpos policit Demaj, është vrarë edhe përsosni që kishte tentuar të grabiste njërën nga bankat në këtë komunë. Në nderim të Demajt, Kosova ka mbajtur ditë zie.

(Përgatiti Faton Dërmaku/Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi e fitoi Ligën e Kampionëve për të tretin…