Ngordhin peshqit në lumin Mirusha, shkaqet nuk dihen
Në mëngjesin e sotëm është vërejtur një dukuri e pazakontë në një pjesë të lumit Mirusha, pasi një pjesë e madhe e fondit të peshkut ka ngordhur.
Shkaqet e kësaj dukurie ende nuk dihen, ndërsa inspektorët komunal të Malishevës janë në terren duke u marrë me rastin.
Me të marrë informacionin nga shoqata e peshkatarëve sportiv “Sykuqi”, inspektorët komunal kanë dalë në vendngjarje dhe janë duke u marrë me rastin, të cilët i kanë njoftuar edhe organet qendrore, ndërsa në vendngjarje, së bashku me shoqatën e peshkatarëve, është edhe policia.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili ka kërkuar ndriçimin e rastit dhe gjetjen e shkaktarit të kësaj ngjarje të rëndë, të cilën e ka vlerësuar si katastrofë ekologjike dhe ka kërkuar ndihmën e organeve qendrore, përkatësisht të ekspertëve të kësaj fushe.
Edhe shoqata e peshkatarëve sportiv ka kërkuar ndriçimin e rastit dhe gjetjen e shkaktarit të kësaj ngjarje me dëme të pazëvendësueshme.
/Epoka e re/