Ngrehet aktakuzë kundër serbit për dhunë ndaj KFOR-it
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit L.D, për shkak të kryerjes së veprave penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402 par. 4 lidhur me par 2 dhe nenin 31 të KPRK, si dhe për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm” nga neni 404 par 1 lidhur me nenin 31 të KPRK.
Sipas aktakuzës i pandehuri më datë 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.