Ngrihen akuza ndaj 12 agjentëve të shërbimeve ushtarake ruse të zbulimit
Një Juri e Madhe federale ngriti të premten akuza ndaj 12 oficerëve të shërbimeve ushtarake ruse të zbulimit, për depërtim në 2016-n në rrjetin kompjuterik të kandidates demokrate për presidente të SHBA’së Hillary Clinton dhe Partisë Demokratike.
Lajmi u njoftua nga Departamenti amerikan i Drejtësisë. Aktakuza, hartuar nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller në kuadër të hetimit në vazhdim të zyrës së tij, për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 të fituara nga Presidenti Donald Trump, bëhet publike tre ditë përpara takimit të këtij të fundit me Presidentin rus Vladimir Putin në Helsinki në 16 korrik.
“Aktakuza është ngritur ndaj 12 oficerëve ushtarakë rusë të cilët përmenden me emër, për komplotim me qëllim ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të 2016”, njoftoi në një konferencë për shtyp zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein.
Rosenstein tha se në aktakuzë nuk ka pretendime për përfshirje të qytetarëve amerikanë në krimet e pretenduara. Ai tha se ka informuar për këtë çështje presidentin Trump, më herët gjatë kësaj jave.
Në një njoftim për shtyp të Departamentit amerikan të Drejtësisë thuhej se oficerët e Agjencisë Ushtarake ruse të Zbulimit (GRU) “janë përfshirë në kapacitetet e tyre zyrtare, në një përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në rrjetet kompjuterike të fushatës së Komitetit Kombëtar Demokrat dhe fushatën presidenciale të Hillary Clinton-it, duke e publikuar informacion në internet, nën emrat DCLeaks dhe Gufficer 2.0. “.
Mueller ka ngritur aktakuza kundër disa ish-ndihmësve të fushatës së zotit Trump, përfshirë ish-kryetarin e fushatës Paul Manaforti dhe ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn.
Në shkurt, Mueller akuzoi 13 shtetas rusë dhe tre kompani rusë për përgatitjen e një komploti për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.
Në aktakuzë thuhej se rusët, përdorën llogari të rreme në internet për të shpërndarë mesazhe përçarëse si dhe kanë udhëtuar nëpër SHBA për të mbledhur informacione dhe organizuar tubime politike ndërsa paraqiteshin si amerikanë.
Por kjo aktakuzë nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me përpjekjet për ndërhyrje të qeverisë ruse.
Agjencitë amerikane të zbulimit kanë dalë në përfundimin se Rusia ka përdorur propagandën dhe hakmarrjen për të ndërhyrë në zgjedhje, në një përpjekje për të dëmtuar Clinton dhe ndihmuar Trump të fitojë.
Disa orë përpara publikimit të aktakuzës, Trump e cilësoi hetimin e Mueller si një “gjueti shtrigash të manipuluar” që po dëmton marrëdhëniet e SHBA-së me Rusinë./voa