Ngrihen dyshime rreth dorëheqjes së Zaevit
Të gjithë partnerët që përbëjnë koalicionin qeverisës në Maqedoninë e Veriut pas takimit me kryeministrin në dorëheqje, Zoran Zaev, janë shprehur se përbërja qeveritare është e qëndrueshme, duke ripërsëritur qëndrimin se janë kundër dorëheqjes së kreut të qeverisë.
Ndërkohë, ende nuk dihet se kur Zaevi do ta dorëzojë në Kuvend dorëheqjen nga posti i kryeministrit, të cilën dorëheqje ai e paralajmëroi menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve lokale të dielën.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse ka një kornizë kohore se kur pritet që kryeministri në dorëheqje i Maqedonisë së Veriut ta deponojë dorëheqjen e tij në institucionin ligjvënës.
Nga takimi ndërmjet partnerëve të koalicionit u dha një porosi e qartë se votat e 62 deputetëve qëndrojnë pas kësaj përbërjeje të qeverisë.
Nga ana tjetër, nga VMRO DPMNE-ja të martën kanë thënë se dorëheqja e paralajmëruar e kryeministri Zaev është blof.
“Zoran Zaev sërish bëri blof dhe dorëheqja e tij mbeti vetëm në Facebook dhe nuk e deponoi të njëjtën me shkrim në Kuvend. Nga këtu duket se dorëheqja e Zaevit njëjtë si dorëheqja e Filipçes (Venko Filipçes, ministër i Shëndetësisë), u dha për të mos u pranuar dhe më pas t’i ikë përgjegjësisë”, ka deklaruar Dragan Kovaçevski, zyrtar i lartë në VMRO-DPMNE.
Por, Vlladimir Bozhinovski, drejtues i Institutit për Kërkime Politike thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe kundrejt kërkesës së partnerëve të koalicionit qeverisës nuk ka hapësirë që Zaevi ta tërheqë dorëheqjen e tij, të cilën e ka bërë publike.
“Nëse Zaevi pendohet për dorëheqjen, më së shumti do të humbte ai dhe partia që e drejton. Pra, nëse Zaevi e tërheq dorëheqjen, do të kemi problem serioz me legjitimitetin politik të kësaj përbërjeje qeveritare, e cila është në këmbë të qelqta për shkak të shumicës së ngushtë parlamentare”, vlerëson Bozhinovski.
Ndërkohë, nga opozita shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa bëjnë të ditur se po punohet në mënyrë intensive për formimin e një përbërjeje të re qeveritare.
Përderisa opozita maqedonase, VMRO-DPMNE, para zgjedhjeve dhe në mes rundeve zgjedhore e ka mbrojtur qëndrimin se është çështje kohe kur do ta bëjnë të ditur shumicën e re parlamentare të kryesuar nga kjo parti, tani janë shprehur më të përmbajtur duke thënë se po punohet në këtë drejtim, por duke lënë hapësirë që kjo gjë të mos arrihet dhe vendi shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Sfidat që dekurajojnë opozitën të përshpejtojë formimin e qeverisë teknike
Njohësit e zhvillimeve politike thonë se kriza energjetike dekurajon opozitën në këtë moment për të bërë presion që të formohet një qeveri teknike, e cila në bazë të Marrëveshjes së Përzhinos në një afat prej 100 ditëve do të duhet të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se është e kuptueshme që VMRO DPMNE-ja ishte shumë zëshme se ka siguruar votat për krijimin e një shumicë të re para zgjedhjeve dhe gjatë fushatës mes dy rundeve zgjedhore për të fituar besimin e asaj pjese të elektoratit që gjithmonë orientohen nga fituesit.
Musliu konsideron se tani kemi një realitet tjetër kur vendi po përballet me probleme reale dhe në këtë situatë opozita e di se marrja e përgjegjësisë do ta tkurrte besimin e elektoratit pasi zgjedhja e problemit me Bullgarinë që është në tavolinë, si dhe kriza energjetike dhe inflacioni do të jenë procese jo të lehta.
“Tash vjen përballja me realitetin, me sfidat e shumta, me të cilat duhet të përballet vendi gjatë periudhës në vazhdim, siç është përmbyllja e çështjes me Bullgarinë, kriza energjetike, kriza e pandemisë nga një valë e re eventuale e COVID-19, inflacioni, rritja e çmimeve, të gjitha këto janë sfida që një shumice të re mund t’ia ulë përkrahjen tek elektorati, ashtu që e shoh të kuptueshme zbutjen e qëndrimit të opozitës maqedonase për formimin e një shumice të re”, vlerëson Musliu.
Edhe Vlladimir Boxhinovski konsideron se opozitës më shumë i konvenojnë zgjedhje të parakohshme në një afat sa më të shkurtër kohor, por shton se në këtë periudhë nuk është momenti i duhur që Maqedonia e Veriut të funksionojë me qeveri teknike me kompetenca të kufizuara në një periudhë kur vendi përballet me shumë sfida.