Ngrihen pothuajse të gjitha programet e ndihmës amerikane në mbarë botën pas urdhrit të Trumpit
Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar ngrirjen e fondeve të reja për pothuajse të gjithë ndihmën e huaj amerikane për zhvillim, pas një urdhri ekzekutiv të lëshuar nga Donald Trump.
Disa orë pasi mori detyrën të hënën, presidenti amerikan urdhëroi një pauzë 90-ditore në projektet globale të financuara nga SHBA, në pritje të një rishikimi të efikasitetit të tyre dhe një kontrollimi se a janë ato në përputhje me politikën e tij të jashtme.
Direktiva e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio përjashton financimin për programet ushqimore emergjente dhe ndihmën ushtarake për Izraelin dhe Egjiptin.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse do të ndikojë në rrjedhën e ndihmës jetike ushtarake të SHBA-së për Ukrainën për ta ndihmuar atë të shmangë pushtimin e Rusisë.
Bëhet e ditur se administrata e Joe Biden rriti ndihmën ushtarake për Ukrainën përpara se ai të largohej nga detyra për shkak të dyshimeve nëse Trump do të vazhdonte financimin e Kievit, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Rreth 3.85 miliardë dollarë fonde për dërgesat e ardhshme të armëve në Ukrainë – të autorizuara nga Kongresi i SHBA-së – mbeten, por është e paqartë nëse Trump do të vendosë t’i shpenzojë apo jo.
SHBA ofron më shumë ndihmë të huaj se çdo vend në mbarë botën dhe buxhetoi rreth 60 miliardë dollarë, ose 1% të buxhetit të vendit në 2023.
Raportohet se heqja dorë nga programet emergjente të ushqimit vjen pasi ndihmat humanitare po rriten në Rripin e Gazës pas armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit dhe mes zisë së bukës në Sudanin e shkatërruar nga lufta.
Por urdhri është kritikuar nga zyrtarët humanitar sepse nuk përjashtoi programet shëndetësore që shpëtojnë jetë, siç janë klinikat dhe programet e imunizimit.
Abby Maxman, kreu i Oxfam America, paralajmëroi se pezullimi i financimit “mund të ketë pasoja jetë ose vdekje” për fëmijët dhe familjet në mbarë botën.
“Duke pezulluar ndihmën e huaj për zhvillim, administrata Trump po kërcënon jetën dhe të ardhmen e komuniteteve në krizë dhe po braktis qasjen e gjatë dypartiake të Shteteve të Bashkuara ndaj ndihmës së huaj që mbështet njerëzit bazuar në nevojë, pavarësisht nga politika”, tha Maxman.
Ndryshe, standardet për një rishikim të të gjithë ndihmës së huaj pritet të vendosen brenda muajit të ardhshëm për të siguruar që ajo të jetë “në përputhje me agjendën e politikës së jashtme të presidentit Trump.
Rezultati mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në rrjedhën e ndihmës së huaj të SHBA-së në mbarë botën.