Ngritën çmimet e bukës, pemëve, veshjeve e pajisjeve shtëpiake

10 qershor 2020 | 16:09

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin maj 2020, viti bazë 2015=100.

Përmes një komunikate për medie, ASK-ja bën të ditur se ngritje e çmimeve vërehet të nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.4 për qind); pemë (2.1 për qind); veshje (0.6 për qind); pajisje shtëpiake (1.2 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.1 për qind në IHÇK.

Sipas ASK-së norma vjetore e inflacionit e matur në muajin maj 2020 me muajin maj 2019 ishte 0.2 për qind. “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1.9 për qind); mish (2.7 për qind); qumësht, djathë dhe vezë (5.9 për qind); vajra dhe yndyrëra (3.5 për qind); pemë (13.3 për qind); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (4.7 për qind); produkte të ndryshme ushqimore, kripëra, erëza etj., (3.1 për qind); kafe, çaj dhe kakao (8.0 për qind); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemë dhe perime (2.6 për qind); pije alkoolike (0.7 për qind); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (0.5 për qind) – (ngritje e çmimeve të drunjve për ngrohje); pajisje shtëpiake (1.3 për qind); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1.5 për qind); produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (5.1 për qind); shërbime ambulatore (7.3 për qind); blerje e automjeteve (1.3 për qind); shërbime hoteliere (2.6 për qind); gjëra personale (4.1 për qind); sigurime (19.3 për qind) – (ngritje e çmimeve të sigurimeve të automjeteve), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.0 për qind në IHÇK”, thuhet në raport.

Sipas ASK-së, inflacioni mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ishte (-0.3 për qind) në muajin maj 2020, krahasuar me muajin prill 2020. “Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perime (-5.9 për qind); energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-0.4 për qind) – (rënie e çmimeve të gazit dhe drunjve për ngrohje); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-2.6 për qind) – (rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.4 për qind) në IHÇK”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas kësaj komunikate, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: perime (-10.5 për qind); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-18.8 për qind) – (rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.8 për qind) në IHÇK.

“Ndryshimet e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve te disa nëngrupe pa ndonjë ndikim në IHÇK. Për më shumë informata lidhur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin maj 2020”, përfundoi komunikata e ASK-së.

 (A. M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Juventus investoi një shifër të frikshme që shkoi në 75…