Ngriten çmimet, rëndohet edhe më shumë jetesa e qytetarit në Kosovë
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të premten Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin nëntor 2023.
Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,9% në muajin nëntor 2023, krahasuar me muajin nëntor 2022.
Ndërsa, inflacioni mujor ishte (-0,1%) në muajin nëntor 2023.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej (2,9 %) në muajin nëntor 2023 krahasuar me muajin Nëntor 2022”, thuhet në raportin e ASK-së.
Tutje thuhet se rritja kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: pemët 19,4%, perimet 16,1%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 10,8 %, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat 7,7%, prodhimet ushqimore 7,0%, veshjet dhe këpucë 6,0%, pijet alkoolike, duhani 5,9%, rekreacionet dhe kultura 5,3%.
Po ashtu energjia elektrike, gaz dhe lendet djegëse të tjera u rriten 4,8%, buka dhe drithërat 3,5%, mallrat dhe shërbimet e ndryshme 2,7% dhe mishi (1,2%), dhe me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3,1 për qind në IHÇK-it.
Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: vajrat dhe yndyrat (-10,3%) dhe lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj (-4,9%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,2 për qind në IHÇK-it.
Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej 0,1 % në muajin nëntor 2023 krahasuar me muajin Tetor 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: shërbimet për transport (-4,0%) dhe karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-3,6%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,4 për qind në IHÇK-it.
Ndërsa, ngritja e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: energjia elektrike, gaz dhe lendet djegëse të tjera 2,9 %, qumështi, djathi dhe vezët 0,8 % dhe ushqimi dhe pijet joalkoolike 0,2%, dhe me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,3 për qind në IHÇK-it. /Telegrafi/