Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 45 të dyshuarve për sulmin në Banjskë
Pak ditë para se të bëhet një vit që nga sulmi i Banjskës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për sulmin terrorist të Banjskës kundër 45 personave.
Kështu ka bërë të ditur kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufi në një konferencë për media, i cili njoftoi se aktakuzë është ngritur ndaj 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast, raporton “Epoka e re”.
Isufi bëri të ditur se rezultatet e ekzaminimit janë kryer jashtë vendit dhe se kjo ka ndikuar që të shtyhet ngritja e aktakuzës.
“Pas përfundimit të hetimit, pas grumbullimit të të gjitha provave, sot kemi ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”.
“Për 45 të pandehurit ekizston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, konkretisht vepra penale kudër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, financimi i terrorizmit dhe shpërlarjes së parave”, është shprehur ai.