Ngritët kallëzim penal ndaj dy inspektorëve dhe u.d kryeinspektores së Shëndetësisë, dyshohet se keqpërdoren pozitën zyrtare
Është ngritur kallëzim penal ndaj ushtrueses së detyrës së kryeinspektores së Shëndetësisë, Dr. Nora Kursani Demjahës.
Demjaha dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, duke marrë vendim për ndërprerjen e punës së qendrës shëndetësore “KosovaMed Healthcare SHPK”, shkruan Indeksonline.
Nën firmën e Demjahës, Inspektorati Shëndetësor, përmes vendimit të datës 27.10.2023, e pati ndaluar punën e “KosovaMed Healthcare SHPK” në QKMF – Drenas.
Ky vendim më vonë do të anulohej, nga Komisioni për shqyrtimin e Ankesave, për shkak të paligjshmërisë së tij.
Dyshohet se u.d kryeinspektorja Demjaha, I kishte dërguar e-mail Drejtorisë së Shëndetësisë të Komunës së Drenasit, duke e urdhëruar drejtoreshën e kësaj Drejtorie që ta zbatojë vendimin e Inspektoratit Shëndetësor, për ndalimin e marrjes së shërbimeve nga Operatori Ekonomik “KosovaMed Healthcare SHPK”, nën arsyetimin se “KosovaMed Healthcare SHPK” do të duhej të kishte licencë nga Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë që të ishte i aftë të lidhte kontratë me QKMF – Drenas.
Në arsyetimin e të njëjtit vendim thuhet se “KosovaMed Healthcare SHPK” ka të punësuar staf shëndetësor të cilët kryejnë shërbime shëndetësore sipas kontratës publike kornizë, të nënshkruar nga komuna e Drenasit.
Përveç Demjahës, kallëzim penal është ngritur edhe ndaj inspektores shëndetësore, Hikmete Blakqori, si dhe ndaj inspektorit shëndetësor, Nysret Kuleta.