Ngritja e çmimeve në Kosovë nuk ka të ndalur
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2.2 për qind në muajin shkurt të këtij viti, krahasuar me muajin shkurt 2023. Inflacioni mujor ishte 0.1 për qind në muajin shkurt 2024.
Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se shtrenjtimi vërehet me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: energjia elektrike 11,5%, pijet alkoolike 11,2%, pemët 10,1%, peshqit 9,4%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. 8,3%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 7,7%, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 6,5%, biletat e fluturimeve 6,3%, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat 6,2%.
Po ashtu sipas këtij raporti prodhimet ushqimore janë shtrenjtuar për 5.8%, kafja, çaji dhe kakao 4,4%, veshje 3,9%, mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit 3,4%, kujdesi personal 3,3%, perimet 3,0%, shërbimet hoteliere 2,8%, duhani 2,7%, buka dhe drithërat 2,3%) dhe mishi (1,3%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,6 për qind në IHÇK-it, shkruan KosovaPress.
Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: vajrat dhe yndyrat 6,0%, qumështi, djathi dhe vezët 5,8%, pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal 2,2% dhe blerja e automjeteve 0,5% me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,4 për qind në IHÇK-it.
Sipas ASK-së indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,1 % në muajin shkurt 2024 krahasuar me muajin janar 2024. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të nëngrupet e COICOPI-it: karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal 3,8%, perimet 2,1% dhe kafja, çaji dhe kakao 2,1% me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,4 për qind në IHÇK-it. Rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet: biletat e fluturimeve 11,5%, energjia elektrike 3,7% dhe qumështi, djathi dhe vezët 1,4% me një ndikim prej 0,3 për qind në IHÇK-it.