Ngritja e çmimit të çimentos, goditje e rëndë për sektorin e ndërtimtarisë
Ngritja enorme e çmimit të çimentos dhe efekti i saj tek bizneset e sektorit të prodhuesve të betonit e gjithashtu tek sektori i ndërtimtarisë, ishte tema kryesore e diskutimit në takimin e realizuar ndërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë dhe bizneseve anëtare me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Ngritja e sërishme të çmimit të çimentos për +17.81€/T (duke përfshirë TVSH-në) që ka hyrë në fuqi nga data 08.08.2022, apo 58.27% brenda këtij viti, është ngritja e tretë e çmimit të çimentos në vitin 2022, arsye kjo e cila bëri që të reagojnë përfaqësuesit e sektorit të prodhuesve të betonit në kuadër të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Dhoma e Tregtisë, vlerësoi se kjo është ngritja e tretë me radhë e çmimit që po bëhet brenda këtij viti, gjë e cila po paraqet një ngritje prej 58.27% krahasuar me atë të fillimit të këtij viti, prandaj kërkoi nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë që të ndërmerren masa të menjëhershme për tejkalimin e kësaj situate të krijuar, ashtu që të mos ketë pasoja negative tek bizneset dhe ekonomia vendore.
Sipas përfaqësuesve të bizneseve ngritja e shpeshtë e çmimit, me paralajmërime në afate tejet të shkurtra kohore, e mungesa e arsyetimit përmbajtësor për këto ngritje, po shkakton shumë sfida në operimin e bizneseve të sektorit të prodhuesve të betonit si dhe në përmbushjen e kontratave që këta të fundit kanë me klientët e bashkëpunëtorët.
Gjithashtu kjo po ndikon edhe në humbje të mëdha që po u shkaktohen këtyre bizneseve dhe si rrjedhojë ndikon edhe largimin e punëtorëve.
Nga njoftimet e pranuara nga bizneset për ndryshim të çmimit nga ana e kompanisë Sharr-Cem, konsiderohet që faktor të jetë rritja e çmimit të energjisë elektrike, e cila nga ana e prodhuesve të betonit gjithashtu konsiderohet si argument i pamjaftueshëm dhe i papranueshëm për një rritje kaq të madhe.
Ministrja Hajdari falënderoi për takimin dhe shprehu gatishmëri për trajtimin e rastit. Gjithashtu theksoi që ky takim ishte mëse i nevojshëm në mënyrë që të marrë informata më konkrete për këtë problematikë me të cilën bizneset po ballafaqohen.