Ngritje e madhe e kombëtareve U21 dhe U19
Në prag të paraqitjes në garën e rëndësishme IHF Trophy Intercontinental, hendbollistët e kombëtareve U19 dhe U21 të Kosovës prej të hënës janë vendosur në Prishtinë dhe po stërviten nën mbikëqyrjen e shtabit teknik të kombëtares, në krye me përzgjedhësin Taip Ramadani. Gara IHF Trophy mbahet në Prishtinë prej 10 deri më 14 prill, ndërsa kombëtarja U21 ka rast të artë që me triumf në këtë garë të sigurojë paraqitjen në botërorin e juniorëve që mbahet në verë në Spanjë. Por natyrisht nuk do të jetë lehtë dhe shtabi teknik e lojtarët po punojnë me përkushtim maksimal për të arritur nivel sa më të lartë për këtë garë.
Për nivelin e lojtarëve, për rëndësinë e organizimit të IHF Trophy Intercontinental në Kosovë, për mundësinë për të shkuar në botëror dhe për shumë gjëra tjera për ekipet kombëtare U19 e U21 ka folur përzgjedhësi Taip Ramadani.
“Para dy javësh kemi kompletuar testet e përgjithshme të lojtarëve ku kemi mbledhur një sasi të madhe informatash për përgatitjen fizike të lojtarëve të ekipeve U19 e U21. Kemi filluar t’i analizojmë shifrat dhe të bëjmë një krahasim me dy përfaqësuese elitare evropiane të këtyre grupmoshave. Disa nga informatat janë premtuese por gjithashtu po e shohim se ku kemi edhe mungesa dhe do të mundohemi të shtjellojmë këto analiza me lojtarët dhe me klubet, që të janë më të informuar se ku dhe si duhet të punohet në vazhdim”, ka thënë Ramadani, që ka javë që është në Kosovë në përgatitje të ekipeve kombëtare për aktivitetet e rëndësishme të këtij muaji.
“Poashtu të hënën e të martën kishim stërvitjet e para me këto grupmosha dhe më la përshtypje përmirësimi I dukshëm në formë i shumë lojtarëve. Sidomos te grupmosha U19 kjo është më e dukshme, pasi ata para një viti kishin mungesa të mëdha. Ekipi U21 duket më i komponuar dhe vërejta se ka një fokus të ri dhe seriozitet të shtuar te pothuajse i gjithë grupi”, është përshtypja e parë e Ramadanit pas dy ditëve stërvitje.
Ai ka pranuar se shpresa dhe synimi është që kombëtarja U21 të fitojë garën IHF Trophy Intercontinental dhe të kualifikohet në kampionatin botëror që mbahet në Spanjë në muajin korrik. Kështu kombëtarja U21 e hendbollit do të shkruante historinë si e para që përfaqëson Kosovën në një botëror në të gjitha sportet ekipore.
“Pothuajse të gjithë lojtarët që i kemi llogaritur i kemi në dispozicion për këtë kampionat. Jam i lumtur që grupmoshës U19, që përbëhet krejtëssht me lojtarë të klubeve të vendit, i është bashkuar Vilson Gojani, që është i lindur në Klinë, por jeton e luan në ligën elite të Italisë. Është lojtar i pozitës qendër, është i fuqishëm dhe i shpejtë. Në kombëtaren e grupmoshës U21 i është përgjigjur thirrjes Blend Dalladaku, që luan me juniorët e klubit elit francez, Nantes. Është një pivot i fortë dhe mbrojtës i shkëlqyeshëm në qendër të zonës. Poashtu për herë të parë vjen edhe Albin Xhafolli që luan alo e djathtë. Albini është prodhim i Akademisë së hendbollit të klubit të famshëm gjerman Gummersbach dhe këtë stinor, deri më tani ka luajtur katër ndeshje në Bundesligë me këtë ekip. Kjo dëshmon se sa shumë ka fituar besim në të klubi gjerman”, ka treguar Ramadani.
Organizimi I IHF Trophy Intercontinental në Kosovë dëshmon për vlerësimin e lartë që ka IHF-ja ndaj FHK-së, ka thënë Ramadani, për të vazhduar: “Kjo është hera e tretë që fitojmë besimin e federatës ndërkombëtare për organizimin e kampionateve të mëdha ndërkombëtare. Këtë herë disa federata tjera shprehën dëshirë të jenë nikoqir të kësaj gare, por Kosovës iu dha përgjegjësia edhe njëherë. Për Kosovën kjo sjell dobi të mëdha. Kosovës i hapen dyer të rëndësishme ndërkombëtare në rrafshin sportiv. Kjo ngjarje sjellë përvojë të mëtejme për organizimin e garave ndërkombëtare, na mundëson edhe njëherë mirëpritjen e ekipeve nga të gjitha anët e botës, duke përfshirë edhe SHBA-në, Australinë e Nigerinë. Ky kampionat poashtu krijon miqësi të reja sportive e diplomatike, sadopak stimulon ekonominë vendore dhe promovon shtetin tonë në dritë të mirë. Mirëpo dobia më e madhe është se shërben si frymëzim për rininë e Kosovës, jo vetëm nga pikëpamja sportive por edhe në arena tjera që kanë të bëjnë me organizimin e eventeve ndërkombëtare dhe mirëpritjen e miqve nga gjithë bota”.
Kombëtaret U19 e U21 po ushtrojnë në palestrën 1 Tetori. 21-vjeçarët në stërvitje i udhëheq Fatmir Muhaxheri që ishte në krye të ekipit edhe në tetor kur kjo gjeneratë fitojë garën IHF Trophy për Evropë. 19-vjeçarët në stërvitje po i udhëheq Jeton Havolli.