Ngritje e re e vrullshme e çmimeve në Kosovë

09 janar 2023 | 10:13

Ngritje e re e vrullshme çmimesh ka nisur që në ditën e parë pas festës së Vitit të Ri. Që nga e hëna, pra 2 janar 2023, qytetarët kryeqytetas u përballën me çmime të reja të ngritura befasisht, të një numri produktesh elementare ushqimore, e sidomos të disa produkteve që lëndë të parë kanë qumështin.

“Nuk kuptoj tashmë asgjë. Mbrëmë dëgjova në lajme një deklaratë të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës dhënë për medie, ndërsa sot (e hënë, 2 janar 2023) me të ardhur në arkën e marketit që e frekuentoj rregullisht dhe për shkakun që e kam fare pranë shtëpisë për të paguar jogurtin KABI, të kompanisë me të njëjtin emër, më priti befasia e çmimit të ri të ngritur. Në vend që të paguajë 90 centë, sa ka qenë në disa muajt e fundit çmimi i këtij produkti, nga e hëna duhet të paguajë 1 euro”, thotë A.M., një pensionist njohës i mirë i tregut në Prishtinë, jo pak i revoltuar me të dalë nga marketi në rrugën “Nazim Gafurri”.

“Duket mbase 10 centëshi i ngritur i çmimit të jogurit të KABI-t jo shumë i madh, por kjo ngritje çmimi i bie mbi 10 për qind të çmimit të deritashëm”, vazhdon të rrëfejë pensionisti për Buletinin Ekonomik.

Ai rikujton se jo shumë moti, para disa muajsh këtë produkt e ka blerë me 45 centë. Këto ngritje çmimesh që në ditët e para të këtij viti janë shqetësuese, sidomos për pensionistët, karshi të cilëve mungon totalisht dora e përkujdesjes së këtij shteti, thotë pensionisti A. M., i cili ka shumë vërejtje edhe për tregtarët kosovarë dhe për disa prodhues të produkteve ushqimore, por preferon anonimitetin.

Ai nuk e fsheh se pëlqen produktet e kësaj kompaie (qumështin, djathin, jogurtin dhe kosin), por është shumë i revoltuar me çmimet e ngritura shpesh edhe nga ky prodhues.

“Më shqetësoi jo pak edhe paralajmërimi i pronarit të marketit për çmime të reja të ngritura të djathit, që deri tash në njëfarë mënyre kanë qenë të pranueshme po të krahasohet me çmimet e djathërave të tjera. Por, pronari i marketit ka paralajmëruar se sasitë e djathit që priten të vijnë nga prodhuesi së shpejti, do të kenë çmime të ngritura”, thotë pensionisti prishtinas.

Në këtë fillim vit kanë ndodhur shtrenjtime edhe te disa produkte të tjera të konsumit të gjerë. Sipas statistikave të ASK-së, nga 31 dhjetori i vitit 2022 deri më 2 janar të vitit 2022, çmimet kanë shënuar ngritje edhe te një numër produktesh të tjera. Më saktësisht, sipas ASK-së, janë shtrenjtuar kafja e bluar, çaji, detergjenti për rroba e shamponi për flokë. Çaji është shtrenjtuar për 67 centë.

Shtrenjtimi i produkteve ka vazhduar edhe më 3 janar. Sipas të dhënave të ASK-së, në këtë ditë janë shtrenjtuar mishi i gjedhit, mishi i bardhë, jogurti, ajka, vezët, patatet, sheqeri, çaji, kripa e kuzhinës, uji natyral pa gaz, detergjenti për rroba e shamponi për flokë. Ç’është e vërteta, në këto ditë të para të 2023-tës, ASK-ja ka regjistruar edhe rënie simbolike të çmimeve të disa produkteve tjera, ndër to edhe sosh elementare ushqimore. Produktet që janë liruar janë orizi, makaronat, mielli, qumështi, djathi, gjiza, vaji, fasulja, të cilat janë liruar prej 1 deri në 4 centë. Më saktësisht, lëvizjen e çmimeve, ASK-ja e ka paraqitur në një tabelë të publikuar edhe në faqen e saj zyrtare. Lëvizja goxha e madhe e çmimeve me kahe drejt ngritjes së tyre te shumë produkte bazë ushqimore, në dy-tre ditët e para të vitit 2023 është bërë vetëm pak ditë pas parashikimit të Bankës Qendrore të Kosovës për mundësinë e rënies së inflacionit në vitin që posa kemi hyrë.

Siç dihet, guvernatori i këtij institucioni, Fehmi Mehmeti, pak ditë para Vitit të Ri ka thënë se do të ketë ulje të inflacionit deri në 6 për qind, që do të thotë se do të ketë edhe rënie çmimesh.

“Pritjet tona janë që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 të kemi ulje të inflacionit deri në 6 për qind dhe kjo në masë të madhe do ta ndikojë aftësinë paguese të qytetarëve, që më pastaj do të ndikojë në rritjen e konsumit si komponent kryesor i rritjes ekonomike në vend”, ka deklaruar Mehmeti për medie.

Por, nëse vazhdon kështu si ka nisur në tre ditët e para ngritja anarkike, pa asnjë logjikë të tregut e çmimeve, që nga tani shtrohet dilema e madhe se si do të ketë ulje të inflacionit në këtë vit. Nuk ka asnjë mundësi që të bëhet ulja e inflacionit duke u ngritur çmimet e shumë produkteve të përditëshme dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejtë te rënia e ndjeshme e gjendjes sociale të shumicës së kosovarëve të varfër. Por, edhe në këto ditët e para të 2023-tës, kur u pa dhe u prek lëvizja e madhe e çmimeve në tregun kosovar, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, praktikisht u treguan të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme për çmime të rritura, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore e as morale. Me fjalë të tjera, po del të jenë vetëm fjalë, sado që të shkruara, e zeza në të bardhë, masat e qeverisë të bëra publike tash e sa kohë dhe shumë herë për frenimin e shpërthimit egërsisht të ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore.

Shifrat e çmimeve të reja të sipërpërmendura në këtë shkrim, tregojnë më qartë se asnjë dokument zyrtar i deritashëm i miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës për frenimin e anarkisë dhe kaosit te çmimet, nuk është respektuar nga tregtarët, por edhe nga disa prodhues vendorë. Nuk është respektuar fare as Rezoluta e VV-së, e miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës muaj më parë, që synonte adresimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë në Kosovë dhe në njëfarë mënyre vendosjen e një tavani të çmimeve për produktet bazë ushqimore, për të pasur sado pak njëfarë mbikëqyrjeje tek çmimet e produkteve bazë dhe as dokumentet e tjera.

Tani po del të jetë vetëm një tekst ordiner, pa asnjë ndikim të vetëm në ecurinë e frenimit të çmimeve të egra edhe Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore, i miratuar në muajt e fundit të 2022-tës. Siç dihet, në këtë dokument thuhej se Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria që të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe masa të jashtëzakonshme për të adresuar rritjen e inflacionit dhe ndikimin e tij në çmimet e produkteve bazë. Përveç kësaj, Kuvendi përmes rezolutës ka kërkuar nga ekzekutivi që edhe nëpërmjet instrumenteve monitoruese, t’i ndalë përpjekjet për shfrytëzim të kësaj situate nga tregtarët abuzues.

Mirëpo, siç po shihet nga shifrat më të fundit të çmimeve të shumë produkteve bazë ushqimore, asnjë kërkesë dhe synim i dokumenteve zyrtare nuk është përmbushur. Thjesht, si me to si pa to, tregtarët, ata që gjithnjë treguan prirjet e tyre abuzive, edhe këtyre ditëve ngritën çmimet jo pak, duke e ngritur goxha shumë edhe marzhën e fitimit. Pra, fare pak nga masat e paralajmëruara për t’u dalë në krah qytetarëve nëpërmjet frenimit të ngritjes abuzive të çmimeve, kanë prodhuar efekte, ndërkohë në tregjet e Kosovës dhe fare, ose aspak efekte konkrete nuk janë shënuar në këtë fillim vit sa i përket stopimit të egërsimit të mëtejshëm të çmimeve në vend. Ato, çmimet pra, vetëm sa vazhduan të ngriten me vrull të përshpejtuar dhe me shifra marramendëse të përqindjeve të ngritura.

Ndërsa, ngritjen egërsisht të çmimeve të produkteve elementare ushqimore po e ndiejnë në supet e tyre qytetarët e Kosovës. Edhe më shumë, ata të varfërit që janë numerikisht shumicë në këtë vend. Ata, tashmë, thënë shkurt e shqip, janë lodhur dhe mezi po e përmbyllin muajin me muaj. Ka rënë pa diskutim fuqia blerëse e kosovarëve në përgjithësi, e në veçanti e të skamurve, edhe për pasojë se në muajt e fundit të 2022-tës dhe tani në fillim fare të 2023-tës, familjet kosovare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë. Dhe, sa më shumë të zgjatë kjo gjendje dhe ky kaos çmimesh, aq më shumë do të cenohet mirëqenia e shumicës së popullsisë së Kosovës dhe do të ç’rregullohet paqja, edhe ashtu e brishtë sociale e këtij vendi. /Buletini Ekonomik

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Iniciativa e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”,…