Ngritje të temperaturave, deri në ngrirje të thellë para zgjedhjeve parlamentare!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Aderimet apo legalizimi i prostitucionit politik: Nuk kanë të ndalur aderimet e personaliteteve me peshë dhe rëndësi të madhe jo vetëm për skenën politike në Kosovë, por që paraqesin vlerë të pazëvendësueshme edhe për politikën ndërkombëtare dhe pa të cilët gjeopolitika botërore do të falimentonte. Për çdo ditë keni fotografi të liderëve partiakë, me prurjet e vjetra apo me konservat politike, të ndryshkura para shumë viteve, por se konsiderohen si infuzion për fitore thuaja të të gjitha partive apo koalicioneve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Askush dhe asnjëri pas këtyre zgjedhjeve nuk dëshiron të jetë i dyti sepse të gjithë duan të jenë të parët. Dhe, të gjitha sondazhet i nxjerrin si fitues, kurse të tjerët i lënë në fund të pusit. Gjatë aderimeve të fundit u inkuadruan në politikë këngëtarë, artistë dhe artiste, sportistë dhe sportiste, trajnerë dhe disenjatorë, përpunues të leshit dhe përfitues të përsheshit, asi që shesin moral në shtëpipublike dhe në forume politike, ata që kanë studiuar në Norvegji dhe ata që janë shkërdhyer në Serbi, ata që kanë kryer kurse patriotike në Kumrovc të Kroacisë dhe ata që familjarisht kanë lehur sipas notave dhe muzikës së Jugosllavisë dhe Serbisë, ata që kanë kryer kursin e moralit të lartë tek Atë Ivani, te pop Jovani apo te stërshitësi i mishit të prishur për Kurban, Mulla Lesh Hasani. Biografia tipike, klasike dhe patriotike e një të aderuari në cilindo subjekt politik: Kam përfunduar shkollimin fillor në Muqibabë të Kamenicës, më ka bërë synet Hasan Leshi në shtëpinë e uzurpuar të Nikoliq Jovicës, për shkollim të mesëm i kam dhënë dy lopë dhe 10 pula sipas kurrikulave të Afrikës, kam studiuar botanikën duke mbjellë kanabis dhe hashash sipas Koza Nostras italiane dhe skinhedsave të Amerikës, masterin për financa e bëra në ishujt Kajmanë duke pastruar para të politikanëve kosovarë dhe vëllezërve shqiptarë, doktoraturën e bëra sipas rregullave globale duke kurdisur arka fiskale dhe tash ligjëroj në Kolegjin për Etikë dhe Moral në Mishlesh, kurse jam profesor me korrespondencë edhe në Bangladesh. Kam një të kaluar të pastruar kriminale sepse filan prokurorit i kam ndërtuar shtëpinë, kurse gjykatësit kryesor i kam futur në bythë alltinë. Nuk kam probleme me ligjet, së paku me Kushtetutën, sepse jam i pastër si kanalizimi në Emshir dhe jo pse më kanë tuten. E tash, lexues të nderuar, si mos ta pranoni në parti intelektualin e Bangladeshit me diplomë dhe allti, si mos të votoni për këto prurje të reja politikehajdutë me trashëgimi gjenetike! Thënë të drejtën, isha shumë i interesuar që edhe unë të bëj fotografi dhe të hyj në histori duke u bërë pjesë i cilitdo subjekt politik që do të dalë i pari në këto zgjedhje. I bëra lëvizjet e domosdoshme dhe të shpejta: e thirra Isën, por nuk u lajmërua, ose e ka ndërruar numrin e telefonit ose e ka njohur numrin tim të telefonit. Si dhëndër i Ismetit të Kodrës së Trimave, shpresat i vara tek ai, por doli se shkova pas koçe.. të dashit. Liburnit i buzëqesha fort dhe me një sensualitet të papërsëritshëm, sikur Vjosa Isës pasi e nominoi për kryeministre, nuk pata feed back që prisja. Fort e përqafova Ramushin kur e takova, por më katapultoi me ata muskujt si të Shvrcenegerit kur ishte zgjedhur mister Universum. U përpoqa pak më butë duke e korruptuar Besnikun në “Rings” me një kafe 0.80 centë, plus 0.20 centë haraç për Buqin por, nuk erdhi. Kam dëgjuar se Behgjet Pacolli të vetmin kusht që i ka vënë Fatmirit për koalicion ka qenë, jo ndonjë post, por të mos më pranojnë si anëtar të Nismës Socialdemokrate, pra Behgjet Pacolli in, Behxhet Shala out. Populli thotë se: “Ku e ke uzdajën e ke murtajën…”. Ia luajta bishtin Ilmisë dhe Kadrisë, kurse ata ia ndanë postet dhe librezën, Gjylfidares dhe Abdylkadër Sadrisë!
Më duhet të theksoj dhe pranoj se nuk di të këndoj, nuk di të vallëzoj, nuk di të kompozoj, as të dirigjoj, me 100 intervenime kam mbaruar shkollën e mesme të mjekësisë, kurrë nuk kam pasur rastin të bëhem pjesë e historisë, nuk di çka janë artet marciale, kurse jam haberus për politikat strategjike globale. Në moshën 12-vjeçare kam mësuar shkrim-lexim, kurse në moshën 15-vjeçare e kam marrë një dysh në vizatim për një shkarravitje fantastike sepse, në vend të kalit, e kam vizatuar gomarin e, në vend të pelës, e kam vizatuar zagarin. Të vetmen punë që di nga pak ta bëj është tëluaj koç… prandaj shpresova se, së paku në PartinëEuroatlantike të Mongolisë, mund ta gjejë një vend për t’u sistemuar. Si fëmijë, kur ruaja bagëtinë dhe bujqësinë gjatë pushimeve verore te dajat në Lupç të Epërm, luaja pidpidak, gugja apo kliçka sikur edhe u bëra njëfarë eksperti për degërxhik. Thashë se përvoja ime e pasur në të kaluarën do të më ndihmojë të bëhem pjesë e ndonjë partie, koalicioni apo ekuacioni, por po del se politikanët tanë këto lojëra i kanë perfeksionuar,sidomos lojën me gugja, për faktin se, qe 20 vjet luajnë gugja me ne dhe asnjëherë nuk kanë humbur. Pra, edhe kësaj radhe më dështoi aderimi, prandaj po mbetem, as deputet e as pushtet!
Koalicionet si ngjizje e kurvërisë politike dhe morale: AAK-ja e Ramush Haradinajt, si parti ekstremisht e djathtë, e bëri një koalicion krejtësisht normal me PSD-në, parti e deklaruar si e majtë. Kombinim krejtësisht i natyrshëm për forcim të shtetit e sidomos për marrje të pushtetit. AAK-ja qëndron mirë, ka rritje më shumë se të gjitha partitë, por se nuki fiton zgjedhjet me partnerin. Këtij formacioni jofitues, por kualifikues, i mungon një parti e qendrës. Në Kosovë parti që krejt kohën ka qenë në qendër, më shumë për të keq, klientelizëm, thithës të tenderëve dhe jo vetëm të tenderëve, shantazhim të partive të tjerasipas parimit një deputet pesë ministri, është AKR-ja –Aleanca Kosovare e Rrenave. Realisht, po të mos ishte Hashimi – Shimi, Gjet Colli do të hynte në orgji politike – pushtetore midis Ramushit dhe Korbit. Shkoi te Fat Falti duke e drejtuar bigën dyrremëshe –auspuhin dybothësh në drejtim të Hasreti Isës dhe Kadrisë. Procedura pastaj vazhdon në përputhje me nevojat e shtetit, bashkësisë ndërkombëtare, popullit të Turkmenistanit dhe vejushave të Azerbejxhanit e që të gjithë këta janë nën urdhrat e komandant Shimit si komandant suprem i forcave të armatosura që ia garanton edhe Kushtetuta. Edhe Partia e Drejtësisë u bë pjesë e këtij koalicioni, jo për të fituar, por për të mbijetuar!
Nisma Socialdemokrate e Malishevës dhe Aleanca Kosovare e Rrenave e Karaçevës: Edhe këtu kemi bashkëdyzim apo bashkëshkërdhyerje të dy subjekteve politike krejtësisht të kundërta: Nisma Socialdemokrate që është e deklaruar si e majtë apo parti për padrejtësi sociale dhe AKR-së si një parti tipike e djathtë apo më mirë të them parti që ka dalë nga koç… e djathtë e Hashimit. Dhe se ende mrizon nën atë hije. Kësaj partie iu bashkëngjit edhe një amebë që përshtatet në çdo vend, në çdo temperaturë dhe në çdo kanalizim. Ky koalicion është bërë për barazim të llogarive pas zgjedhjeve. Shumë më shumë do të fitojë Begja se Fat Falti, si gjithherë. Nisma është e metastazuar nga patriotë me emër dhe me fletë, prandaj këtij gjerdani i është bashkangjitur edhe kryepatrioti Behgjet Pacolli për ta përmbushur konstatimin e Azem Bejtës apo për ta rrëzuar tezën e Azem Bejtës se: “Më m.t nuk bëhet ...” Bëhet, bëhet, ja koalicioni.
Në këtë përzierje leshrash Jakup Krasniqi është zënë më së ngushti; nuk e ka duruar Pacollin edhe kur ky ishte në Kremlin, tash ia kanë futur në gji… Jakupi apo Baca Kupë që e quajnë ata që duan ta mashtrojnë, me letra ka shumë pushtet në këtë parti, është kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës, sikur dikur Haxhi Lleshi në Shqipëri. Po më duket se nuk po ia pyesin fare letrat Jakupit, ia kanë ndërruar arkivin e historisë duke e renditur Behgjet Pacollin edhe mbi Hasan Prishtinën apo krah të djathë të Skënderbeut andaj, Jakupi si historian me 500 libra të shkruara, e ka përqafuar Bacën e Marecit si bashkëpjesëmarrës dhe bashkëvuajtës në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Unë nuk kam shkollë të përfunduar, jam njëfarë autodidakti spekulativ por, po të isha në vend të Jakupit, në çastin kur Gjeti bënte sfilatë të koalicionit me Fatin, menjëherë do të isha dorëhequr dhe kisha shkuar në Negroc për të kontrolluar nëse dhelpra ia ka ngrënë pulat apo zogjtë.
Partia Demokratike e Kosovës: Është në pozitën e vejushave të Gostivarit; askush nuk martohet me to e sa për ndonjë seancë janë të mirëseardhura dhe të domosdoshme. Partitë kosovare – shqiptare ia kanë bërë bllok PDK-së sikur që partitë apo koalicioni i partive serbe në Kosovë ia ka bërë bllok Listës Serbe. Mirëpo, në aspektin material dhe seksual më mirë është të mos martoheni, por të bashkëjetoni. Këtë parim po e ndjek edhe PDK-ja. Falë racizmit të partive të tjera në Kosovë dhe injorancës së skajshme politike dhe praktike ndaj PDK-së, këta u bënë votuesit apo përkrahësit më të mëdhenj të PDK-së pasi mobilizuan elektoratin e PDK-së e që këtë nuk do ta bënte më mirë as vetë Kadri Veseli. Nëse shkohet në zgjedhje pa koalicione të mëdha, ma merr mendja se PDK-ja del fituese jo se e meriton, por se partitë konkurrente janë më leshko se PDK-ja. Shumë do të varet se çfarë liste do ta bëjë PDK-ja jo për t’i fituar zgjedhjet, por për të fituar më shumë mandate deputetësh. Nëse PDK-ja i fut në lista do këshilltarë si kategori sociale intelektuale dhe mercenarë, pisk do t’i ketë punët. Sot PDK-ja i ka dy probleme të mëdha: Hashimin dhe granimin. Granimin PDK-ja e ka kryesisht për dasma, syneti, kanaxheqe dhe ahengje patriotike ku nuk duhet të keni fare ose shumë pak përgatitje politike. Po të mos ishin këto partitë kosovare – shqiptare, PDK-ja do të mrizonte nën dud të opozitës, jo vetëm një mandat, por pak më gjatë. Kadri Veseli bëri mirë që nuk e arnoi qeverinë, Kadri Veseli do të bënte edhe më mirë që të harronte se ku Behgjet Pacolli e ka shtëpinë! Nëse PDK-ja në lista nuk do të ketë të korruptuar, nuk do të ketë bijë dhe bija të të fortëve kah koç… dhe të lodhtë nga mendja, fitoren do ta ketë të garantuar. Pa koalicione të mëdha. Partitë kosovare –shqiptare në Kosovë po gabojnë duke e nënçmuar strukturën e ndërtuar të PDK-së thuaja 20 vjeçe dhe shtresën e votuesve klientelistë. Struktura e PDK-së dhe LDK-së punojnë sipas modelit të oktapodit, ia hiqni një kokë, i dalin dhjetë të tjera. Për PDK-në do të ishte më mirë që të dilte në opozitë sepse do të lirohej nga përgjegjësia për vendimmarrje që do të jenë të rënda dhe të dëmshme. Përfundimisht, PDK-ja vullnetarisht nuk do të kalojë në opozitë.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje: Gjatë dy zgjedhjeve të fundit po kalojnë nga gjendja e dashurisë platonike deri në përleshje fizike. Nuk kanë fat në dashuri e as qëndrueshmëri në besnikëri. Asgjë nuk i bashkon përveç luftës për pushtet dhe urrejtjes ndaj PDK-së që më shumë i dëmton sesa që iu ndihmon. Dështuan me VLAN-in, thyen dhëmbët me PAN-in. Tash, e treta e vërteta: duan të bëjnë koalicion parazgjedhor për ta liruar Kosovën nga “serbët” e Drenicës, me ndihmën e “shqiptarëve” të Graçanicës! As këta në aspektin ideologjik dhe politik nuk dallojnë nga koalicionet më lart: LDK-ja e deklaruar si parti e djathtë që mendon dhe pshurrë si Sali Berisha dhe Lul Basha dhe Lëvizja Vetëvendosje krejtësisht e pozicionuar ndryshe, si parti e majtë, si Berti Sanders dhe Roza kokëtrasha. Është një dashuri sadiste – mazokiste ku nuk punon kimia, ka mungesë pasioni dhe ligështim ereksioni. Prandaj marrëdhënienkurrë nuk po mund ta çojnë deri në fund. Prandaj edhe po mungon ngjizja parazgjedhore sikur që do të bëhet edhe më e vështirë ajo pas zgjedhjeve. Në pamje shumë të fortë dhe të fuqishëm brenda janë si eunukët apo ruajtësit e haremit të sulltanëve. Shih me sy, nuk janë për ty. Koalicionin parazgjedhor po e arsyetojnë me një çmim të lartë që deri më tani vetëm UÇK-ja dhe NATO-ja e kanë realizuar, çlirim të Kosovës dhe çkapje të shtetit. Kosova është çliruar, kurse kapja ka qenë kontribut i të gjithëve, në rastin konkret kapjen e kanë bërë kapjen bashkë të Kosovës, njëri e ka mbajtur, tjetri e ka kapur. Pastaj, janë ndërruar. LV-ja ka pasur vetëm kapje lokale; Prishtinën që tani nuk po mund ta çkapin nga Shpendi. Mytaheri në Prizren nuk po di as të kapë si duhet. Vetëm LV-ja deri më tani ka të drejtë morale të flasë për çkapje të shtetit sepse të tjerët, të gjithë janë kapës, kush më shumë e kush më pak. Nëse LDK-ja është e sigurt se i fiton zgjedhjet e 6 tetorit, pse i duhet koalicioni parazgjedhor?! Nëse LV-ja është e sigurt se i fiton zgjedhjet, pse po këmbëngul në koalicion parazgjedhor?! Le t’i fitojnë zgjedhjet atëherë le të merren vesh duke e ndarë tortën apo helmin! Pse hidhërohet LV-ja që LDK-ja e ka nominuar Vjosën për kryeministre kur vetë e ka nominuar Albinin për kryeministër! Mua më pengon fakti se Vjosa më shumë po ka përkrahje si femër se në bazë të aftësive që i ka! Po riciklohet Zarifja, tash kryeministre. Unë e pranoj çdo kryeministër që i fiton votat mirëpo, nëse bëhet një krahasim midis Albin Kurtit kandidat dhe Vjosa Osmanit atëherë, përkundër dallimeve që mund t’i keni me Albinin, duhet të pajtohemi me faktin se këtu nuk ka vend për krahasime: Albini është para Vjosës, por edhe të tjerëve shumë larg, pakrahasueshëm larg! Këtij koalicioni fort i ka fryrë edhe një pjesë e ashtuquajturës shoqëri civile jo se e duan çkapjen sepse edhe vetë janëkapës, por se duan të bëhen pjesë e kapjes me mandat dhe institucionalisht!
Lëvizja për Bashkim: Lëvizja për Bashkim ka deklaruar se do të bëjë koalicion vetëm me ato parti apo individë që janë për ndryshim të kufijve dhe të territoreve. Po del të jetë shumë e fuqishme sepse ka apo mund të ketë përkrahës shumë të fuqishëm si: Hashim Thaçi, Gjet Pacolli, Goran Rakiqi, Aleksandar Vuçiqi, Ivica Daçiqi, Putini, Edi Ramë Kokëdhima, Gjon Bolton dhe Donald Tramp si dhe ish–rrugaçet e Brukselit, Federika Mogerini dhe mashtruesi vjenez Johaness Sebastain Han.
Toni dhe Vjosa, shoferë apo shoqërues të Ha-Shimit: Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre, e zonja shumë në fushën e Kushtetutës dhe gjykatave ndërkombëtare, ndonëse ende ndodhet në furrig, ka deklaruar se do ta dërgojë Hashimin në shtëpi. Ashtu ka deklaruar edhe Antoan Quni Grizmani se do ta dërgojë Hashimin në shtëpi, përkatësisht Thaçin. Fillimisht mendova se e kanë parë të lodhur Rasim Thaçin – Cimën dhe kanë vendosur ta dërgojnë në shtëpi, por po del se ata duan ta dërgojnë Hashim Thaçin – Shimën në shtëpi. Njëri shofer, tjetri si shoqërues sigurimi, përkatësisht shofere Vjosa, kurse shoqërues Anton trimi. Duket se këta e njohin Kushtetutën e Kosovës aq sa vullkanin Etna në Çabrat të Gjakovës! Po edhe nëse 120 deputetë do të votojnë në mëngjes për shkarkim të Hashimit, pas drekës me fruta di mare (bagëti dhe bujqësi deti), kushtetutka e Ahtisarit vetëm sa do t’i forcojë fotelen e Hashim Carit!
Nuk ka asnjë ndryshim prej këtyre zgjedhjeve, rahmet shpirti iu pastë!