Ngrohja globale po hyn në fazë kritike
Bota është në mes të asaj që ka të ngjarë të jenë 10 vitet më të ngrohta që kur filloi matja e temperaturës botërore më 1850, ka njoftuar Shërbimi Kombëtar i Motit në Britaninë e Madhe.
Shërbimi britanik parashikon se temperaturat në secilin nga pesë vitet e ardhshme do të jenë afër, ose 1 gradë Celsius, më të larta se periudha para industriale. Gjithashtu ekziston një mundësi e vogël që në njërin nga pesë vitet e ardhshme temperaturat globale të arrijë në mbi 1.5 gradë Celsius.
Ky nivel i temperaturës vlerësohet si kritik për procesin e ndryshimeve të klimës. Nëse të dhënat përputhen me parashikimin, atëherë dekada nga 2014-2023 do të jetë më e ngrohtë në më shumë se 150 vjet të mbajtjes së të dhënave.
“Ne sapo kemi bërë parashikimet e këtij viti dhe ato sugjerojnë se po ndodh ngrohja e shpejtë në nivel global”, tha për BBC, Adam Scaife, kreu i parashikimit afatgjatë në Shërbimin britanik të motit.
Në tetorin e kaluar, shkencëtarët e OKB-së publikuan një raport të veçantë mbi ndikimet afatgjata të rritjes së temperaturës prej 1.5 Celsius. Analiza e ekspertëve britanikë thotë se ka një mundësi prej 10 përqind që kjo të ndodhë brenda pesë viteve të ardhshme. /rel/