Ngrohtorja solare, MFPT dhe Termokos nënshkruajnë marrëveshje 80 milionë euro
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe kryeshefi ekzekutiv i Termokosit, Fisnik Osmani, kanë nënshkruar tri marrëveshje për ndërtimin e ngrohtores diellore në Prishtinë.
Ndërtimi i ngrohtores diellore e cila do t’i shërbejë qytetarëve të Prishtinës është bërë e mundur përmes marrëveshjes me BERZH-in me vlerë 23.2 milionë euro, nga KfW 31.6 milionë euro, nga BE-ja grant 21.5 milionë euro dhe kontributi nga qeveria 4.4 milionë euro.
Ky projekt parasheh ndërtimin e një impianti të ngrohjes solare në Prishtinë ku përmes saj do të zgjerohen kapacitetet e prodhimit të energjisë termike të Termokosit deri në 50 MW. Pra, 38 mijë qytetarë që aktualisht nuk janë pjesë e rrjetit të ngrohjes do të fillojnë të kenë qasje në shërbimet e Termokosit pas përfundimit të projektit.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin prezent edhe ambasadori Gjerman në Kosovë, drejtori në Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), shefi për bashkëpunim në zyrën e BE-së në Kosovë dhe kryetari i Komunës së Prishtinës.