
NGUSHËLLIMI PËRMES SYVE
Nga: Ismail Syla
Mos fol! Mos pëshpërit! Mos bëj shenja me gisht! Mos mbaj shishe uji, etj.! Mos mbaj çantë! Këto janë simbolet e ndalesave, të ngjitura në pjesën e poshtme të ekranëve – monitorë në galerinë e ndërtesës së Gjykatës Speciale në Hagë. “Mos u afroni përpara” është vëtejtja e shkruar në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht (mos u përkulni) pikërisht poshtë xhameve të blinduar, përmes të cilëve mund të ndiqen seancat gjyqësore, që si shprehje kanë nuanca dallimi nga gjuha në gjuhë. Po u përkthye nga anglishtja fjalë për fjalë, i bie seancë dëgjimore, nga serbishtja shkundje kryesore, ndërsa shqip seancë gjyqësore.
Në këtë galeri përmes kufjeve mund të dëgjosh zhvillimet e seancës në tri gjuhë. Në shqip dëgjohen zërat e përkthyesve që nga mënyra si shqiptohen fjalët, lehtë identifikohen se janë nga Shqipëria. Ka ndodhur në të kaluarën që këta përkthyes të shkaktojnë ngatërrime qesharake. Bie fjala, kur një dëshmitar shqiptar tha se me vetura kemi lëvizur në terun (në kohë kur toka ka qenë jo e lagshtë, pra e tertë, e tharë, pa baltë, pa lloç, pa llucë), përkthyesja ia “futi” në terr, pra në errësirë. Sapo e dëgjoi këtë fjalë prokurorja, ia mësyu pyetjeve për arsyet pse bash në terr, errësirë keni lëvizur, duke hapur një kapitull të ri misterioziteti të lëvizjes së njerëzve të UÇK-së. Dëshmitari nuk qe në gjendje ta kuptojë ngatërresën dhe të sqarojë se nuk tha “terr”, por “terun”, pra në tokë, rrugë jo të lagur nga shiu, a shkrirja e borës.
Në fillim të kësaj jave, edhe gjatë paraditës, por edhe pasdite, i përcolla seancat nga galeria e kësaj gjykate. Ngritja në këmbë, me rastin e hyrjes së trupit gjykuese ësht e detyrueshme edhe për vizitorët në pjesën e galerisë, e po ashtu edhe sa herë që dalin gjykatësit nga seanca. Sapo ngrihen në këmbë gjykatësit, fillon rënia automatike e perdes dhe mbyllet dukja në sallë. Vizitorët mund të lëvizin një kat më poshtë, në hapësirën përdhese, gjatë pauzës 10 minutëshe, ose të dalin jashtë ndërtesës, në pauzën gjysmë orëshe, ose atë një orë e gjysmë të drekës.
Për ata që rrinë tërë ditën në galeri, e vërejnë që ajri i kondicionuar është i pamjaftueshëm, se rraskapitja dhe gjumi të ndjekin pa një pa dy. A bëhet kjo qëllimshëm a është defekt teknik, nuk dihet. Kur një punëtoreje të sigurimit ia shfaq këtë ndjenjë, ajo me mirësjellje thotë se do t’ia transmetojë këtë përgjegjësit të saj. Punëtorët e sigurimit ndërrohen shpesh. Nuk hezitojnë për tërheqje vërejtjeje për ndonjë veprim të vizitorëve, galeristëve: që të mos diskutojnë, të mos nënqeshin ose për ndonjë shenjë drejtuar të personave që po gjykohen.
Gjatë kohës kur hyjnë gjykatësit në sallë, edhe të pandehurit ngrihen në këmbë dhe me atë rast drejtojnë sytë drejt galerisë, gjë që nuk është shkelje. Derisa nga pozicioni ulur në ulëset e galerisë tërë kohën mund të shihen presidenti Thaçi dhe Rexhep Selimi si dhe anëtarët e trupit mbrojtës, nga ky pozicion nuk shihen Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, as ekipet mbrojtëse të tyre, sepse xhamii blinduar është i mjegulluar, opak. Ata mund të shihen vetëm nëse afrohesh tek xhami, gjë që nuk “lejohet” edhe nga fjalët në shirit “Mos u afroni përpara”. Z. Veseli dhe z. Krasniqi mund të shihen vetëm kur të ngriheni në këmbë, nëse jeni i ulur në rendin e karrigeve afër xhamit.
Që nga bastisja më 1 nëntor 2023, nuk e kam vizituar më asnjëherë presidentin Thaçi. As nuk i lejohet thirrja përmes telefonit. Ai më 13 mars të këtij viti erdhi në QKUK për ta vizituar babain e sëmurë rëndë. Ishte një vizitë që bëri bujë. Ata qytetarë që qëlluan atë kohë në oborrin para klinikës interne treguan qytetari dhe emancipim të lartë. Thirrën emrin e Thaçit dhe të UÇK-së. Asnjë thirrje kundër ekipit të Hagës, kundër EULEX-it. Madje, një qytetar tha se ne këtu shprehim përkrahje për presidentin dhe UÇK-në. Ne nuk ndërmarrim asnjë hap të gabuar.
Vizita e presidentit Thaçi la gjurmë mediale. La përshëndetjen me dorë në zemër dhe atë të gishtit të madh, fitues, gishtin e OK-ejit, gishtin mbretëror të shpëtimit, faljes së gladiatorit. Gjatë kësaj vizite nuk bëra “turr” në QKUK, me të vetmin motiv, të mos bie në sy, jo nga frika, por nga një kod i respektimit të njeriut që kishte ardhur ta takojë prindin në gjendje të rënduar shëndetësore.
Nuk vonoi dhe babai i presidentit vdiq. Më 21 mars, ditën e parë të pranverës, tri ditë pas varrosjes, presidenti Thaçi vuri një kurorë mbi varrin e babait. Në atë ditë u hap një varr i ri për një nga kushërirët e tij. Pikërisht në atë kohë kur Thaçi përfundoi nderimin te varri i babait, kushërinjtë që qëlluan afër i thonë të mbahet i fortë. Ai, si përgjigje, bëri një gjest, një shenjë. E ngriti dorën e bërë grusht. Ishte grusht i një marifeti të veçantë. Jo grusht proletar, jo grusht i bashkimit kombëtar, jo grusht i unifikimit politik. Ishte shenjë: – Po, jam i fortë! (Kështu, së paku unë e lexova këtë shenjë).
Duke qenë se numrit voluminoz të dëshmitarëve të Prokurorisë po u vie fundi, unë vendosa të bëj shumë kilometra udhë, për ta parë nga afër presidentin Thaçi. Të hënën më 24 mars, në orën 9 u hap seanca e gjykimit. I përshëndeta të gjithë burrat që po gjykohen aty, pa shenjë dore, pa fjalë, vetëm me sy dhe buzëqeshje. I pari më vërejti Rexhep Selimi. Përmes xhamit të blinduar i shpreha ngushëllime presidentit Hashim Thaçi, as me dorë, as me fjalë, por vetëm me sy.
Kjo shprehje ngushëllimi është më e veçantja nga të gjitha ngushëllimet që kisha shprehur në jetë. Të burgosurit në Hagë, po i humbin të dashurit e tyre. Kadri Veselit i vdiqën të dy prindërit gjersa po mbahet në burgun e Hagës. Jakup Krasniqit i vdiq një vëlla shumë më i ri në moshë se ai. Z. Gucati i vdiq babai. Nasimit vëllai. Këtyre njerëzve që kanë humbur shokë edhe në kohë lufte, po u vdesin të afërm në kohë burgu. Para një viti vdiq Xhavit Ferizi, njëri ndër bashkëpunëtorët më besnikë të Hashim Thaçit.
Të gjitha këto vdekje po marrin një peshë të shtuar. Atë të burgut. Vdekja e babait të presidentit qoftë e fundit, që ata e pritën prapa grilave.