Niç: Me tërheqjen e ShBA-së, Gjermania duhet të angazhohet më seriozisht në konfliktet në Ballkan
Milan Niç, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se roli i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor do të zvogëlohet, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet atje – qoftë Kamala Harris, qoftë Donald Trump.
Niç thotë se ndryshimi i politikës amerikane ka nisur prej se Rusia ka filluar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Që atëherë, “politika e ShBA-së në Evropë i ka dhënë përparësi mbështetjes për Ukrainën dhe gjithçka tjetër është strukturuar rreth saj”, sipas tij.
Niç është bashkautor i një artikulli që publikoi javën e kaluar Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, me titull “Si mund ta tronditin Ballkanin Perëndimor zgjedhjet në SHBA”?
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se është koha që Bashkimi Evropian, e sidomos Gjermania të angazhohen më seriozisht në zgjidhjen e konflikteve të mbetura në Ballkanin Perëndimor.
Veriun e Kosovës e përshkruan si konfliktin më urgjent të pazgjidhur.
“Jemi vetëm disa hapa nga përshkallëzimi serioz i situatës në veri të Kosovës. Deri më tani, nuk ka ndodhur… por janë disa situata të vogla në terren që mund të përshkallëzohen”, thotë Niç.