Nicholas Sinishtaj në mbështetje të Nik Gjeloshajt: Tuzi dhe Malësia do të frymojë shqip

05 mars 2023 | 14:42

Veprimtari Nicholas Sinishtaj, ka ardhur nga Amerika për ta mbështetur kandidaturën e Nik Gjeloshajt për kryetar të Komunës së Tuzit.

Ai është shprehur i bindur se sonte, Tuzi dhe malësia do të frymojnë shqip.

“Sonte presim një fitore absolute si rezultat i punës. Së bashku le të shkruajmë kapitullin e ardhshëm të historisë sonë”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Postimi i plotë i Sinishtajt:

Përshëndetje Malësia e jonë krenare!

Të nderuar qytetarë të Malësisë, përfaqësues politikë, diasporë, motra dhe vëllazën shqiptar. Mirë se jem bashkue në frymën e Bashkimit dhe të Zhvillimit. Kur i madhi Gjergj Fishta vendosi të shkruante eposin kombëtar, ai e gjeti frymëzimin këtu në Malësinë e Madhe. Pikërisht këtu ai gjeti një popull të lavdishëm të bashkuam me një gjak dhe dashuni për lirinë. Sot ju, pasardhës të atij popullit po vendosni të ardhmen tuaj në këtë epokë të re. Ju i keni qëndruar besnik kësaj toke të shenjtë dhe për këtë diaspora ka një Malësi që mund ta quajnë atdhe.

Sot dorë për dore, qytetarët e Malësisë së bashku me diasporën janë të bashkuar për të ardhmen dhe prosperitetin e Malësisë. Për katër vite Forumi Shqiptar së bashku me ju kanë treguar se shqiptarët dinë të vetëqeverisen. Komuna e Tuzit është shembull për te gjitha komunat tjera në Mal të Zi dhe në mbarë Ballkanin. Puna dhe rezultatet flasin vetë, nën udhëheqjen e Forumit Shqiptar me kryetarin Nik Gjeloshaj – Malësia ka ndryshuar pozitivisht në çdo aspekt. Elektrifikimi, asfalti dhe uji kanë arritur në vende dikur të lënë pas dore. Sot komuna është e punësuar me personel profesional dhe të kualifikuam. Buxheti komunal është rritur në mënyrë eksponenciale së bashku me investimet kapitale, fabrika, dhe infrastrukturë.

Në të katër anët e Malësisë mal dhe fushë shihen ndryshime dhe zhvillime. Me ardhjen e Forumit Shqiptar në pushtet themelet komunës së re u shtruan shqip. Sot Komuna jonë dhe gjithë Malësia merr frymë, flet dhe udhëhiqet shqip ashtu siç na krijoi Zoti.

Pra motra dhe vëllazën malësor. Zgjedhja më 5 mars është më se e qartë, a duam të shkojmë prapa 30 vjet? Apo duam të ecim përpara në këtë agim të epokës së re për Malësinë. Besoj se populli do të marrë vendimin e duhur dhe do të zgjedhin Bashkimin dhe Zhvillimin. Sonte presim një fitore absolute si rezultat i punës. Së bashku le të shkruajmë kapitullin e ardhshëm të historisë sonë.

Në këmbë malësor me flamurin tonë kombëtar dhe votoni Forumin Shqiptar – numrin 5 – drejt fitores!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të drejtë e votës e ka shfrytëzuar edhe kryetari i…