Niger, trupa ruse hyjnë në bazën ku ndodheshin trupat amerikane
Trupat ruse janë dislokuar në një bazë ajrore në Niger, ku ndodhen trupat amerikane, thonë zyrtarët e lartë amerikanë.
Baza 101 në Niamey ku ushtarët amerikanë detyrohen të qëndrojnë ballë për ballë me rusët rrezikon të bëhet si Fashoda, oazi sudanez ku në shekullin e XIX, francezët dhe anglezët ishin një hap nga lufta për të përcaktuar zonat e tyre të ndikimit kolonial.
Me erën e parë, rëra e Nigerit shpërndahet duke i bërë kufijtë të panjohur, por përfshirja e trupave të Moskës në instalacionin e ndërtuar nga Pentagoni duket se ka thyer një vijë të kuqe: një provokim që mund t’i bëjë të zjarrta marrëdhëniet midis administratës amerikane dhe juntës ushtarake që mori pushtetin korrikun e kaluar.
Masa shihet si shtim i presionit ndaj SHBA-ve, ndërsa negocion tërheqjen e forcave të saj nga vendi, pas një urdhri dëbimi nga junta e saj ushtarake.
SHBA-të kanë operuar në dy baza dronësh në Niger, që synojnë të kundërshtojnë kryengritësit islamikë në rajon.
Washingtoni ka denoncuar grushtin e shtetit të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, udhëheqësit e juntës i janë drejtuar Rusisë për ndihmë.
Nigeri ndodhet në rajonin Sahel të Afrikës, i cili konsiderohet epiqendra e re globale e grupit të Shtetit Islamik.
SHBA-të janë mbështetur në Nigerin si bazën e saj kryesore për monitorimin e aktivitetit rajonal xhihadist.
Rusët e vendosur në bazën ajrore 101 (të amerikanëve) në aeroportin ndërkombëtar të Nigerit në kryeqytetin, Niamey, thuhet se janë trajnerë ushtarakë.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, zyrtarët në Niger i thanë SHBA-ve se rreth 60 trupa ruse ndodheshin në vend.
Marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe Rusisë janë përkeqësuar ndjeshëm që kur Presidenti Vladimir Putin filloi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, me SHBA-në që udhëheq përpjekjet perëndimore për të furnizuar me armë ukrainasit.
Megjithatë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka minimizuar çdo rrezik për trupat amerikane.
“Rusët janë në një kompleks të veçantë dhe nuk kanë akses në forcat amerikane apo akses në pajisjet tona”, u tha Austin gazetarëve në Honolulu, Hawaii.
“Unë jam gjithmonë i fokusuar në sigurinë dhe mbrojtjen e trupave tona… Por tani për tani, nuk shoh një çështje të rëndësishme këtu përsa i përket mbrojtjes së forcave tona”, shtoi sekretari i mbrojtjes.
Është e paqartë se sa trupa amerikane kanë mbetur në bazën ajrore 101.
Disa vende të tjera, të udhëhequra nga ushtria, në rajonin e Sahelit gjithashtu kanë forcuar kohët e fundit lidhjet me Rusinë dhe i kanë ndërprerë ato me Francën, ish-fuqinë koloniale, ndërsa përpiqen të luftojnë një kryengritje islamike në rajon.
Gjenerali Langley tha se “qëllimi përfundimtar” i SHBA-ve ishte të vazhdonte një dialog me ato vende që janë marrë në kontroll nga juntat për t’i kthyer juntat “në një udhërrëfyes të kthimit drejt demokracisë”.
Amerika në Sahel
Pavarësisht se kanë pranuar zyrtarisht urdhrin për të ndaluar aktivitetet në vend dhe për të tërhequr trupat, amerikanët nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga bazat e tyre të fundit operacionale në Sahel.
Ata e bëjnë këtë me një qasje shumë të ndryshme nga Kremlini, të vendosur për të zënë hapësira të reja me çdo mjet. Shtëpia e Bardhë deri më tani ka shmangur çdo konfrontim të hapur. Në të njëjtën kohë, amerikanët po përpiqen të blejnë kohë, me besimin se tensionet e brendshme do të përfundojnë duke minuar kohezionin e juntës së gjeneralëve.
Dhe puna diplomatike vazhdon për të hapur një çarje në aleancën e trefishtë që bashkon puçistët e Nigerit, Malit dhe Burkina Fasos: dje ata u dhanë autoriteteve të Burkinës 55 milionë dollarë ndihmë urgjente humanitare, duke çuar në këtë mënyrë fondet totale të dhëna në 153 milionë pas Puçit të Ouagadougou-t.
Deri në grushtin e shtetit të korrikut të kaluar, Nigeri ishte bastioni i ndërhyrjeve perëndimore në Sahel: ai konsiderohej si vendi më i qëndrueshëm dhe më i besueshëm në rajon.
Kjo është arsyeja pse amerikanët kanë ndërtuar një infrastrukturë të madhe atje – të quajtur Baza 201 – në shkretëtirën Agadez: një aeroport që kushton mbi 100 milionë dollarë nga ku nisen dronët për të mbajtur një sy në përhapjen e grupeve xhihadiste nga Sudani në Libi, nga Gjiri i Guinesë deri në Somali.
Si një pikë mbështetëse për punën në Agadez, baza më e vogël 101 u krijua në kryeqytet: deri dy vjet më parë ajo priste gjithashtu Reaper dhe avionë të tjerë pa pilot, dhe më pas u transferua në polin më verior.
Pas puçit, Uashingtoni zgjodhi një linjë të moderuar dhe të përgjithshme ndihmëse ndaj gjeneralëve nigerianë. I cili nga ana e tij u fokusua fillimisht në dëbimin e kontingjentit të Parisit, pa shfaqur armiqësi ndaj amerikanëve.
Largimi i 3 mijë francezëve e bëri problematike mbrojtjen e personelit amerikan të pranishëm në Niamey: në shtator Pentagoni deklaroi se gjithçka do të transferohej në Agadez, duke pastruar bazën 101.
Por nuk ndodhi kështu. Aeroplanët mbetën në Niamey dhe misionet me dron vazhduan nga Agadez.
Por që nga dhjetori, puçistët kanë filluar negociatat me Moskën dhe Teheranin për të blerë armë dhe për të hartuar marrëveshje bashkëpunimi ushtarak. Një lëvizje që acaroi marrëdhëniet me amerikanët, deri në dështimin e bisedimeve në Uashington me kryeministrin nigerian dhe njoftimin e tërheqjes së mëpasshme nga vendi.
Rusët në bazën e amerikanëve
Me një zgjedhje të destinuar për të rritur presionin ndaj SHBA-ve, junta e Niamey ka caktuar një hangar në perimetrin e bazës 101 për rreth 100 ushtarët rusë që zbarkuan tre javë më parë.
Zyrtarisht ata janë përgjegjës për trajnimin e ushtarëve vendas në përdorimin e një baterie kundërajrore të blerë në Rusi, megjithëse njëri prej tyre deklaroi se “ata ishin atje për të mësuar teknikat anti-terroriste”.
“Rusët janë në një hangar të ndarë nga instalimet tona”, tha një oficer për Reuters. “Sigurisht që nuk është një situatë ideale, por në afat të shkurtër ne mund ta menaxhojmë atë”, vazhdoi ai. “Ata nuk mund të hyjnë në zonën tonë dhe pajisjet tona”, konfirmoi Ministri i Mbrojtjes Lloyd Austin. “Unë jam gjithmonë i fokusuar në sigurinë e trupave tona, por për momentin nuk shoh ndonjë problem”.
Në realitet, shqetësimet për personelin amerikan janë gjithnjë e më të forta. Ka pasur protesta në qytet dhe një sinjalizues i Forcave Ajrore i raportoi deputetit Matt Gaetz se si kontigjenti tani “ndihet peng”.
Por Pentagoni nuk dëshiron të përshpejtojë largimin nga vendi. Sot nuk ka alternativë ndaj bazës 201 për të vazhduar fluturimet e vëzhgimit mbi Sahel, e përcaktuar si “themelore edhe për sigurinë e territorit amerikan”.
Për këtë arsye ai do të donte të negocionte një axhendë tërheqjeje “profesionale dhe të përgjegjshme”.
Infrastruktura, megjithatë, i përket qeverisë nigeriane, e cila duket se synon të rrisë presionin ndaj Shteteve të Bashkuara.
Me çfarë objektivi?
Shumë mes Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit vazhdojnë të besojnë se junta e grushtit të shtetit – ose të paktën një pjesë e saj – nuk dëshiron të shpërbëhet, por po menaxhon një lloj ankandi: ajo dëshiron të kuptojë se kush është i gatshëm të ofrojë më shumë në terma të financimit dhe furnizimeve ushtarake.
Situata, megjithatë, duket se do të dalë jashtë kontrollit dhe do të përshpejtojë një konflikt shumë të tensionuar.
Rusët në Afrikë me Kinën dhe Iranin
Afrika është aktualisht skena e një disfate amerikane. Disangazhimi i vendosur nga administrata Trump po kthehet në një krizë nën administratën Biden.
Trupat amerikane po dëbohen kudo: dy ditë më parë edhe njësia e vogël e pranishme në Çad u largua nga vendi. Rusët po konsolidojnë lidhjet me gjeneralin Haftar në Bengazi, duke u përhapur në të gjithë Sahelin dhe duke u përpjekur të afrohen në një duzinë kombesh.
Ndryshe nga perëndimorët, ata jo vetëm ofrojnë instruktorë, por edhe luftëtarë dhe armë për t’u marrë me kryengritjet xhihadiste ose fisnore.
Një temë që ka tërheqje të madhe mes autokracive apo demokracive të brishta të rajonit. Për të komplikuar skenarin, Moska shpesh lëviz në marrëveshje me Pekinin dhe Teheranin. Kjo po ndodh edhe në Niger: kinezët sapo kanë nënshkruar një marrëveshje për eksplorimin e fushave të naftës, ndërsa iranianët do të donin të blinin uranium nga minierat e përdorura deri më tani nga francezët.
Italianët në Niamey
Përjashtimi i vetëm në Niamey janë ushtarakët italianë, të cilët vazhdojnë bashkëpunimin me forcat e armatosura vendase dhe synojnë ta forcojnë atë në ditët në vijim.
Një zgjedhje e bërë nga qeveria Meloni, e cila dëshiron ta bëjë atë shtyllë të “Planit Mattei” për Afrikën, e cila deri tani ka pasur mbështetjen e aleatëve. Baza italiane, jo shumë larg asaj të konfrontimit ruso-amerikan, po bëhet pikë referimi për të gjitha nismat evropiane. “Ne jemi atje për sigurinë e të gjithëve”, përsëriti Ministri i Mbrojtjes italian, Guido Crosetto.
Marrë nga BBC dhe La Repubblica, përshtatur për Albanian Post