Nigeri, 14 të vdekur gjatë përleshjeve etnike
Të paktën 14 persona kanë humbur jetën nga përshkallëzimi i tensioneve etnike në shtetin Plateau në Nigerinë qendrore, njoftoi të enjten Adam Umar, zëdhënës i ushtrisë nigeriane, transmeton Anadolu Agency.
Ai tha se vrasjet ndodhën në komunitetin Jol, ku 13 persona, ndër të cilët ka gra dhe fëmijë, u vranë nga sulmues të paidentifikuar me armë. Umar supozon se bëhet fjalë për hakmarrje.
“Sulmi në Jol vijoi pas mbytjes së tre lopëve më 19 shtator, pas çka është thirrur mbledhje mes përfaqësuesve të popujve Berom dhe Fulani”, tha Umar dhe shtoi:
“Krahas mbledhjes së qetë, blegtori më vonë është vrarë në pritë më 29 shtator, ndërsa një person është qëlluar në dorë më 2 tetor. Po të njëjtën ditë është kryer edhe një sulm tjetër në të cilin u vranë 13 persona dhe iu shkatërruan shtëpitë”.
Vrasjet e fundit ndodhën në mes të tensioneve në shtetin e Plateau për shkak të zhdukjes së gjeneral-majorit, makina dhe rrobat e të cilit u gjetën në liqen. Ekipi kërkimor ushtarak në liqen gjeti disa makina të tjera, të cilat shkaktuan zemërim në vend. Trupi i gjeneralit ende nuk është gjetur.
Plateau është goditur nga një valë e konflikteve etnike që kryesisht janë përfshirë fermerët e krishterë dhe blegtorët myslimanë.