Nigeria e gatshme të plotësojë boshllëkun e gazit natyror në Evropë
Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari tha se vendi i tij është gati të plotësojë boshllëkun e gazit natyror në Evropë të krijuar nga lufta Rusi-Ukrainë.
Në një deklaratë me shkrim nga zëdhënësi i presidencës nigeriane Garba Shehu, bëhet e ditur se Buhari zhvilloi konferencë për media në pallatin presidencial në Lisbonë me homologun e tij portugez Marcelo Rebelo de Sousa.
Presidenti Buhari ka tërhequr vëmendjen se Nigeria me një popullatë mbi 200 milionë banorë të përbërë kryesisht nga të rinj është qendër e zonës së tregtisë së lirë kontinentale afrikane (AFCFTA).
Ai theksoi se Nigeria është gati të plotësojë boshllëkun e gazit natyror në Evropë të krijuar nga lufta Rusi-Ukrainë.
Duke nënvizuar se Nigeria dhe Portugalia mund të bashkëpunojnë në fusha të tilla si nafta, gazi, turizmi dhe siguria, Buhari tha se pavarësisht se Nigeria tashmë është furnizuesi kryesor i gazit në Portugali, rritja e bashkëpunimit të naftës dhe gazit mes dy vendeve është bërë jetike për të shmangur krizat në zinxhirin e kërkesës dhe furnizimit.
Buhari i kërkoi Portugalisë ta shohë Nigerinë si një partner të vlefshëm dhe të besueshëm në Afrikë, në një periudhë kur bota po kalon kohë të trazuara.