Nik Gjeloshaj: Ende s’kemi qëndrim për pjesëmarrje në qeverinë e drejtuar nga Spajiç
Bartësi i listës së Forumit Shqiptar – partia shqiptare në Mal të Zi – njëherësh kryetar i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë se kur të kenë një qëndrim përfundimtar për pjesëmarrjen në qeverinë e re, do ta informojnë publikun në kohën e duhur.
“Në Forumin Shqiptar janë duke u bërë analiza dhe konsultime, kur të kemi një qëndrim përfundimtar do ta informojmë publikun në kohën e duhur. Vendimet e mira dhe serioze megjithatë kërkojnë pak më shumë kohë”, ka shkruar Gjeloshaj në Facebook.
Ndryshe, Milojko Spajiç, lideri i Lëvizjes Evropa Tani – si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit është mandatuar nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, për të formuar qeverinë e 44-të malazeze.
Fillimisht, Spajiç kishte negociuar, duke mos pasur numrat e nevojshëm për ta bërë qeverinë vetëm, me demokratët që udhëhiqen nga Aleksa Beçiç, dhe me partitë e pakicave kombëtare në Mal të Zi, shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët – të cilët kanë marrë një numër të konsiderueshëm mandatesh.
Ai kishte përjashtuar çfarëdo mundësie që të ketë në koalicion Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Lëvizjen Qytetare “URA” – që udhëhiqet nga kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, por edhe koalicionin “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro-ruso-serb.
Mirëpo, me këto negociata nuk ishte pajtuar presidentit Milatoviç, njëherit nënkryetar i Lëvizjes Evropa Tani, i cili kishte kërkuar që të gjitha forcat politike që kishin fituar në zgjedhjet e 30 gushtit 2020, çka kishte shënuar humbjen për herë të parë të pushtetit nga partia e ish-presidentit Gjukanoviç, të ishin pjesë e qeverisë.
Duke mos arritur që t’i sigurojë numrat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re, dhe me thirrjet e Milatoviç-it për të marrë në qeveri partitë pro-serbo-ruse, Spajiç filloi negociatat me ta, ku po raportohet se është arritur marrëveshje se njëri nga liderët e këtij koalicioni, Andreja Mandiç, do të jetë në krye të kuvendit malazez.
Partitë shqiptare, që në fillim e kishin përkrahur Spajiç-in për kryeministër, pas kësaj lëvizje, tanimë nuk dihet nëse do të jenë apo jo pjesë e ekzekutivit të tij.