Nik Gjeloshaj, politikani i parë shqiptar nga Mali i Zi që ftohet në lutjet e mëngjesit në Uashington
Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka bërë me dije se në ditët në vijim do të jetë në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nga data 31 janar deri më 2 shkurt do të jem në Uashington, ku do të marr pjesë në mëngjesin e 71-të të lutjeve. Si pjesë e kësaj, do të kem disa takime dhe biseda shumë të rëndësishme me figurat më të larta dhe më relevante politike dhe shoqërore”, ka shkruar Gjeloshaj në “Facebook”.
Ai ka theksuar se është një nder dhe një privilegj i jashtëzakonshëm për të, pasi është politikani i parë shqiptar nga Mali i Zi në histori që ftohet në lutjet e mëngjesit në Uashington.
“Më 3 dhe 4 shkurt do të kem takime vëllazërore me diasporën tonë në Michigan dhe në New York. Diaspora jonë është e gatshme të mbështesë me kapacitet të plotë Malësinë e bashkuar dhe të zhvilluar. Falenderoj shoqatat shqiptare në SHBA për punën e tyre ekselente, të palodhur dhe të vetëorganizuar, ku lirisht mund të them se ky nivel dashurie për atdheun dhe vendlindjen nuk është parë askund në botë”, ka shkruar Gjeloshaj.
Ai ka theksuar se: “Me veprat dhe punën tonë, ne jemi duke e dëshmuar, nga dita në ditë, se Forumi shqiptar është sinonim i fitoreve, suksesit, unitetit dhe zhvillimit”, ka shkruar Nik Gjeloshaj.