Nik Gjeloshaj rizgjedhet kryetar i Alternativës shqiptare
Nik Gjeloshaj ka thënë se është i nderuar dhe i privilegjuar që u rizgjodh në dëtyrën e kryetarit të Alternativës shqiptare.
“Kuvendi i katërt i Alternativës shqiptare më zgjodhi unanimisht për kryetar”, ka shkruar Gjeloshaj në “Facebook”.
“Jam krenar për gjithçka që kemi arritur, duke punuar me përkushtim dhe përgjegjësi për zhvillimin, avancimin dhe përparimin e popullit shqiptar në Mal të Zi. Frytet e punës sonë janë të shumta, duke filluar nga ngritja e standardit të jetesës, faktorizimi, integrimi dhe përfshirja e popullit shqiptar në vendimmarrje”.
“Jam shumë i kënaqur që Kuvendi sot miratoi statutin e ri modern, i cili për nga përmbajtja është një nga statutet politike më demokratike në vend dhe rajon. Partia jonë, duke promovuar vlera shembullore demokratike, ka përcaktuar se një person mund të jetë kryetar partie vetëm për dy mandate, gjë e rrallë kjo, veçanërisht në Ballkan. Meqenëse ky është mandati im i dytë, në kuvendin e ardhshëm pas katër vitesh, Alternativa shqiptare do të fitojë një kryetar të ri”, ka shkruar Gjeloshaj.
Ai ka theksuar se e inkurajon shumë fakti që partisë i janë bashkuar të rinj dhe të arsimuar, intelektualë me renome europiane, ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët kanë arritur suksese në karrierë dhe profesion.
Ai ka thënë se Alternativa shqiptare me partnerët e saj është duke zhvilluar çdo cep ku jetojnë shqiptarët.
“Prosperitetin dhe progresin që ka përjetuar Malësia që nga ardhja në pushtet e Alternatives shqiptare, tani po e përjetojnë Ulqini, Plava, Gucia dhe Rozhaja përmes angazhimit tonë për zhvillimin e këtyre komunave”, ka theksuar Gjeloshaj.
Ai ka deklaruar se faktorizimi dhe integrimi i shqiptarëve do të thotë mirëqenie dhe sukses për të gjithë komunitetin, prandaj, sipas tij, Alternativa shqiptare do të vazhdojë të përfaqësojë në mënyrë të vazhdueshme dhe me përgjegjësi shqiptarët përmes avancimit të të drejtave të tyre, përmes ngritjes së standardit të jetesës, përmes realizimit të projekteve dhe nismave në mënyrë që të gjitha komunat ku banojnë shqiptarët të arrijnë nivelin më të lartë zhvillimor.
“Kur përmend Alternativën shqiptare, mendoj njëkohësisht në produktin më të fuqishëm dhe më të suksesshëm, që jemi themelues së bashku me LDSH dhe UNSH, që është Forumi shqiptar. Qoftë populli ynë gjithmonë i bashkuar, i zhvilluar dhe me vlera demokratike ashtu siç ishte në këtë kuvend. Me falënderimet më të përzemërta për besimin tuaj, ju premtoj se në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë edhe më fuqishëm me vazhdimin e zhvillimit dhe avancimit”, ka shkruar Gjeloshaj.