Nik Gjeloshaj: Vota shqiptare vetëm për shqiptarët
Partitë shqiptare në Mal të Zi kanë nënshkruar sot marrëveshjen e koalicionit gjithëpërfshirës për zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit.
Kjo marrëveshje është nënshkruar mes Forcës së Re Demokratike, Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit të Tuzit si dhe Lëvizjes Qytetare Perspektiva.
Me ketë rast, Nik Gjeloshaj, kryetar i partisë Alternativa Shqiptare, ka thënë se ky bashkim përfaqëson shqiptarët pa dallime, nga bregu i Buenës e deri në Dacaj të Rozhajës.
“Ky bashkim përfaqësohet me 15 këshilltarë në Kuvendin e Tuzit, 9 në Kuvendin e Ulqinit, 5 në Kuvendin e Gucisë, me nga një këshilltar në Kuvendin e Plavës dhe Podgoricës. Në total 31 nga 41 këshilltarët e subjekteve nacionale ose 71 për qind të përfaqësimit politik nacional. Po ashtu pjesë e këtij koalicioni janë: nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, kryetari i komunës së Tuzit, kryetarët e Kuvendeve të komunës së Ulqinit dhe Tuzit, nënkryetarët e komunës së Tuzit dhe Gucisë…”, ka thënë Gjeloshaj, i cili është edhe kryetar i komunës së Tuzit.
Ai ka thënë se ka ardhur koha që elektorati shqiptar ta diferencojë politikën shqiptare, duke theksuar se ky koalicion është alternativa më e mirë, unike dhe më gjithëpërfshirëse. “Ky koalicion na jep shpresë dhe optimizëm që së bashku me diasporën dhe të gjithë shqiptarinë do të dalim fitues absolut me 30 gusht. Apeli ynë kombëtar, asnjë votë për subjektet e ashtuquajtura qytetare. Vota shqiptare vetëm për shqiptarët, për listën më të mirë, për koalicionin tonë!”, është shprehur ai, duke shtuar se shqiptarët gjithmonë kur u bashkuan, ia dolën.
(M.Q / Epoka e re)