Nika: Prishtina do të ketë paraqitje dinjitoze në Ligën e Kampionëve

20 maj 2021 | 12:46

Portieri Ardit Nika ka shprehur optimizëm se skuadra më e suksesshme në vend, Prishtina, do të ketë përfaqësim dinjitoz në Ligën e Kampionëve.

Portieri i FC Prishtina, Ardit Nika, ka thënë për “Epokën e re” se rrugëtimi i kësaj skuadre drejt titullit kampion nuk ishte aspak i lehtë sepse skuadrat kundërshtare, Drita dhe Ballkani, kishin dallim të madh me pikë.

Sipas portierit, kryeqytetasit e rikthyen titullin pas tetë jetësh për faktin se besuan se në këtë kampionat mund të dalin të suksesshëm dhe se nuk u dorëzuan për asnjë çast. “Vërtet ishte shumë e vështirë të arrihej titulli i kampionit, duke e ditur se ishim me pikë larg kundërshtarëve tanë direkt, por ishte shpresa, dëshira dhe guximi që na shtynë deri tek arritja e qëllimit që kishim për t’u shpallur kampionë. Çelësi kryesor i këtij suksesi ishte që trajnerët dhe kryesia nuk e  humbën kurrë besimin te ne dhe nuk u ndalën kurrë me fjalët motivuese dhe duke na qëndruar gjithmonë pranë, derisa gjithsecili në klub e ka dhënë maksimumin që të shpallemi kampionë”, ka deklaruar Nika.

Prishtina në të kaluarën ka marrë pjesë në Ligën e Evropës, por sivjet për herë të parë do të marrë pjesë në garat parakualifikuese të Ligës së Kampionëve. Portieri Nika ka shprehur optimizëm se skuadra më e suksesshme në vend do të ketë përfaqësim dinjitoz në Evropë.

“FC Prishtina mendoj se është e gatshme për garat e Ligës së Kampionëve për arsye se Prishtina ka përvojë dhe mendoj se do t’ia dalim që ta prezantojmë futbollin e Kosovës në mënyrën më të mirë”, ka thënë Nika, i cili në fund ka bërë edhe një parashikim për kampionatin e ardhshëm 2021/2022, ku ka thënë se klubi “bardhekaltër” do të luftojë si gjithmonë për trofe. “Prishtina jo vetëm në kampionatin tjetër, por gjithmonë lufton për titullin kampion dhe Kupë, sepse është klubi më i trofeshëm në Kosovë dhe kjo tregon se është klub që çdoherë jep atomin e fundit për t’u shpallur kampion”, ka përfunduar Nika.

Ndeshjen e fundit të këtij edicioni Prishtina e zhvillon të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Ballkanit.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të Grantit të Performancës, nënkryetari i Komunës së…