Nimani: Krijimi i Gjykatës Administrative, hap i rëndësishëm për të forcuar sistemin e drejtësisë në Kosovë
Profesori universitar, Petrit Nimani ka thënë se Gjykatat administrative kanë një rol të veçantë në zgjidhjen e çështjeve administrative dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, prandaj si e tillë do të ndihmojë në sigurimin e transparencës, efikasitetit dhe pavarësisë së vendimeve administrative.
“Gjykatat administrative kanë një rol të veçantë në zgjidhjen e çështjeve administrative dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Kjo do të ndihmojë në sigurimin e transparencës, efikasitetit dhe pavarësisë së vendimeve administrative.”, ka shkruar ndër tjera Nimani në llogarinë e vet në “Facebook”
Njoftimi i plotë i Nimanit:
Krijimi i Gjykatës Administrative në Republikën e Kosovës është një hap i rëndësishëm për të forcuar sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Gjykatat administrative kanë një rol të veçantë në zgjidhjen e çështjeve administrative dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Kjo do të ndihmojë në sigurimin e transparencës, efikasitetit dhe pavarësisë së vendimeve administrative.
Qëllimi i krijimit të Gjykatës Administrative është garantimi i mbrojtjes efektive të të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshëm të personave nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme. Përmes tyre synohet krijimi i kushteve të përshtatshme për një shqyrtim efektiv duke vënë në vend të drejtat e cënuara nga veprimet dhe/ apo aktet administrative të nxjerra nga organet publike.
Gjykatat administrative do të garantojnë mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të personave nëpërmjet detyrimit që i vihet organeve publike të provojnë ligjshmërinë e formës dhe të përmbajtjes të veprimit administrativ të nxjerrë prej tyre. Ato do të gjykojnë mbi aktet shkresore dhe mosparaqitja e palëve nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit.
Drejtësia administrative luan një rol vendimtar në disa aspekte me rëndësi:
Në zhvillimin ekonomik të një vendi. Pothuajse të gjitha vendimet për investime apo projekte për infrastrukturën, duhet të kalojnë përmes një procesi licencimi, i cili mund të bëhet subjekt i një shqyrtimi ligjor nga gjykatat administrative.
Rrit gjithashtu transparencën e vendimeve administrative dhe mund të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.
Stimulon modernizimin e administratës publike, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve të saj dhe si pasojë, rrit besimin e qytetarëve për institucionet shtetërore.
Përsa i përket kompetencës lëndore, Gjykata Administrative është kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve që lidhen me veprimet administrative, marrëdhëniet e punës të rregulluara nga Ligji i Punës, në të cilat punëdhënësi është një organ publik; si dhe një akt nënligjor normativ të organeve qendrore apo organeve të njësive të qeverisjes vendore.