Nipi i Jakup Krasniqit flet për vizitën e Haxhiut në Hagë
Dardan Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit, njërit prej ish-krerëve të UÇK-së që gjendet në Speciale si i akuzuar është deklaruar rreth vizitës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Hagë.
Ai ka thënë se çështja e Gjykatës Speciale është dashur të mendohet më herët për mënyrën se si duhet të funksionojë.
“Është një temë që është dashur me u menduar pak më herët për me ardhur deri tek ky moment. Për gjykimin tim nuk është menduar mjaftueshëm si duhet, tash rrethanat mund të kenë qenë të njohura të panjohura. Ne jemi në shërbim të drejtësisë, por është dashur të mendohet pak më mirë, se si me funksionuar kjo gjykatë”, ka thënë Krasniqi për “lajmi.net”.
Po ashtu, Krasniqi ka folur edhe për kritikat që Haxhiu një kohë i ka bërë në drejtim të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët sot gjenden në Hagë, duke thënë së secili është përgjegjës për qëndrimet e tij.
“Qëndrimet e secilit janë përgjegjësi e tij. Unë parimisht nuk pajtohem me gjykimin pa kurrfarë argumenti pavarësisht çfarë natyre gjykohen ose akuzohen njerëzit. Po në fund të fundit është vullnet i saj ose i tyre, i kujtdo që ka përdorur gjuhë të tillë”, ka thënë ai.
Sa i përket vizitës së Haxhiut, ai ka thënë se është e natyrshme të bëhet ky angazhim pasi që ata që janë në Hagë, kanë një histori që s’është e vogël sipas tij.
“Është krejt e natyrshme që çdo angazhim që bëhet, se ata janë qytetarë të Kosovës, më një të kaluar jo të vogël. Dhe çdo interesim i çdo dikasteri pa dallim është i mirëseardhur”, ka thënë ai.
Kujtojmë së Jakup Krasniqi është arrestuar në nëntor të 2020-ës nga zyrtarë të EULEX-it të cilët kishin një urdhër-arrest nga Dhomat e Specializuara.
Ndërsa gjatë ditës për vizitën e Haxhiut ka folur edhe Musli Gucati, djali i kreut të OVL-së, Hysni Gucati.
Ai ka thënë se vizita e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Hagë mund të jetë diçka e mirë, por që prapë nuk mund “t’i harrojnë asnjëherë fyerjet dhe ofendimet ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së”.