Nipi nga Banja e Malishevës infektoi dajën nga Suhareka

07 prill 2020 | 08:56

Dje është konfirmuar edhe një rast tjetër i të infektuarit me COVID në Suharekë. Bëhet fjalë për një person nga fshati Bllacë, i cili është infektuar me koronavirus nga dy nipërit e tij që janë nga Malisheva.

Mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë me dije se në vend janë shtuar edhe 20 raste pozitive me koronavirus, 15 prej të cilave janë me vendbanim në Banjë -Malishevë, 2 me vendbanim në Malishevë, një me vendbanim në Bllace-Suharekë, një me vendbanim në Drenas dhe një me vendbanim në Prishtinë.

Burime të “Metros” kanë bërë me dije për rastin e Suharekës, se janë dy nipërit nga Banja e Malishevës që kanë infektuar anëtarin e një familje e që, sipas këtij burimi, i infektuari është një 23-vjeçar. “Dy nipërit nga fshati Banjë e Malishevës kanë qëndruar dy net te kjo familje në Bllacë dhe më pas, më 31 mars 2020, ata i ka dërguar në shtëpi M. S., i cili edhe është infektuar me koronavirus. I infektuari nuk është kthyer në shtëpi dhe ka qëndruar i izoluar te nipërit e vet në Banjë”, ka thënë ky burim.

Më tutje, ai ka bërë me dije se janë edhe shtatë persona të tjerë të kësaj familje që kanë pasur kontakt me dy personat e tjerë nga Malisheva. Këta dy persona kanë thyer rregullat e karantinimit, pasi që i gjithë territori i Malishevës është futur në karantinë totale që nga data 15 mars, prej kur u shfaqën edhe rastet e para në këtë komunë. Deri më tani në Malishevë numri i të infektuarve ka arritur në 61 persona.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Popujt autoktonë në rajonin e Amazonës dhe Brazil, sipas ekspertëve…