Nis aplikimi i vaksinës kundër malaries në Afrikë
Rreth 360,000 fëmijë në vit, në tre shtete Afrikane, do të mund të marrin vaksinën e parë të malaries në botë, si pjesë e një projekti pilot të aplikuar në shkallë të gjerë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Malavi ka nisur vaksinimin e fëmijëve nën dy vjeç, ndërkohë që Kenia dhe Gana do të nisin vaksinimin në javët e ardhshme.
Vaksina ofron mbrojtje të pjesshme nga sëmundja, pasi studimet zbuluan se vaksina parandalonte rreth katër në 10 raste të malaries.
“Ne kemi nevojë për zgjidhje të reja për kontrolluar përhapjen e malaries dhe kjo vaksinë na jep shpresë se jemi në rrugën e duhur”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një deklaratë për shtyp.
Malaria është një sëmundje parazitare e transmetuar përmes pickimit të mushkonjave femra Anopheles. Ajo është e parandalueshme dhe e shërueshme, por rreth 435,000 njerëz vdesin çdo vit prej saj.
Më të prekurit janë fëmijët nën moshën 5 vjeç, teksa sipas OBSH-së, një fëmijë humb jetën çdo dy minuta.
Shumica e këtyre vdekjeve janë në Afrikë, ku më shumë se 250,000 fëmijë humbin jetën nga sëmundja çdo vit.