Nis aplikimi për subvencionimin e pajisjeve efiçiente të ngrohjes për bizneset

22 nëntor 2023 | 14:41

Ministria e Ekonomisë ka shpallur të mërkurën thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme financuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Masat që janë prezantuar synojnë mbështetjen e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme, si investim në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, e të cilat përfshijnë: Pompë termike; Kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë); Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket); Stufa individuale me biomasë.

“Vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është 20% e vlerës investive, apo deri në 2000.00 euro. Kurse, për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga 51% e tutje, vlera e subvencionimit është 25% e vlerës investive dhe deri në 2000.00 euro”, ka njoftuar ME.

Ndërkaq për kondicioner/ klimë (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), vlera e subvencionimit për një pajisje është 20% e vlerës investive, apo deri në 1000.00 euro. Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga 51% e tutje, vlera e subvencionimit është 25% e vlerës investive dhe deri në 1000.00 euro.

“Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet 40% e vlerës investive, dhe deri në 2000.00 euro. Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga 51% e tutje, vlera e subvencionimit është 45% e vlerës investive dhe deri në 2000.00 euro. Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një pajisje është 40% e vlerës investive dhe deri në 500.00 euro. Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga 51% e tutje, vlera e subvencionimit është 45% e vlerës investive dhe deri në 500.00 euro”, ka njoftuar Ministria e Ekonomisë, duke theksuar se aplikimi për subvencionim është e ndarë në dy faza.

Afati i fundit për aplikim për fazën e parë është 21 ditë kalendarike nga dita që hapet thirrja, pra deri më 12 dhjetor 2023 ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje. Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është deri më 10 janar 2024.

Në të dy fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova: https://rks-gov.net/476

Lajme të sponsorizuara

Të fundit