Nis faza e dytë e dezinsektimit selektiv kundër rriqrave
Në territorin e Komunës së Malishevës ka filluar të realizohet faza e dytë e dezinsektimit selektiv kundër rriqrave.
Kjo fushatë e dezinsektimit është duke u zhvilluar në kuadër të masave për parandalimin dhe luftimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), virus i cili bartet përmes rriqrave.
Në ditën e dytë të dezinsektimit këtë fushatë e kanë përcjellë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Valon Gashi, të cilët janë njoftuar me ecurinë e zhvillimit të kësaj fushate të dezinsektimit.
Sipas operatorit dhe mbikëqyrësve, dezinsektimi është duke u realizuar sipas planifikimit.
Pas Balincës, dezinsektimi i zonave endemike ka vazhduar të mërkurën në Mleqan dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim deri në përfundim të fazës së dytë të kësaj fushate.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Valon Gashi, ka bërë me dije se në këtë fazë janë paraparë të dezinsketohen rreth tre mijë hektarë, kryesisht zona të frekuentuara nga qytetarët, ndërsa kjo fushatë e dezinsektimit mundësohet nga buxheti i Komunës së Malishevës.