Nis fushata për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut

27 shtator 2021 | 14:03

Në Maqedoninë e Veriut, të hënën ka filluar fushata elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor. Për 80 komunat dhe Shkupin, si njësi e veçantë e pushtetit lokal do të marrin pjesë 301 kandidatë për kryetarë komunash dhe 10 600 kandidatë për këshilltarë komunalë.

Fushata elektorale do të zgjasë 20 ditë dhe përfundon më 15 tetor. Të drejtë vote kanë 1 824 864 qytetarë, të cilët për herë të parë votojnë me pajisje biometrike për identifikimin e votuesve.

Teknologjia e re në zgjedhje synon evitimin e parregullsive si, votimin familjar apo votimin për personat e vdekur, apo ata që nuk dalin për të votuar për arsye të ndryshme.

Beteja kryesore do të zhvillohet mes dy blloqeve politike, Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM) të kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) që drejtohet nga Ali Ahmeti nga njëra anë, dhe VMRO DPMNE-së opozitare maqedonase që udhëhiqet nga Hristijan Mickoski dhe koalicionit opozitar shqiptar Aleanca-Alternativa, që drejtohet nga Zijadin Sela.

Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Kumanova dhe Shtipi, janë qytetet ky do të përqendrohet gara mes partive maqedonase ndërsa mes atyre shqiptare në Tetovë, Çair, Gostivar, Strugë, Kërçovë dhe Dibër.

Partitë janë deklaruar se angazhohen për fushatë të qetë, me tubime të vogla për të respektuar masat për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit.

Partitë kanë nënshkruar edhe një kodeks për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Zgjedhjet lokale mbahen në dy rreth zgjedhore, më 17 dhe 31 tetor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë përfunduar të gjitha punimet dhe nesër do të bëhet…