Nis fushata për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut
Tre kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut kanë nisur fushatën 20 ditore për të siguruar mbështetjen e qytetarëve për të parin e shtetit.
Blerim Reka që mbështetet nga opozita shqiptare, Stevo Pendarovski, i partive në pushtet të udhëhequr nga socialdemokratët e kryeministrit, Zoran Zaev dhe Gordana Siljanovska e opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE, janë pretendentët për të zëvendësuar kreun aktual të shtetit, Gjorge Ivanov.
Që të tre janë profesorë të njohur universitar dhe pasi kanë nënshkruar kodeksin për zgjedhje të lira dhe demokratike, kanë shprehur besimin e plotë se fushata e tyre do të dallojë nga ajo e zgjedhjeve të kaluara, se do të jetë e standardeve më të larta ndërkombëtare, apo e nivelit akademik.
Për Blerim Rekën, me rëndësi të madhe është që zgjedhjet të jenë pranueshme nga të gjithë, pavarësisht se kush do të fitojë postin më të lartë në shtet.
“Besoj se do të jetë një garë fer, ligjore dhe e rregullt. Fundja nuk është me rëndësi se kush fiton, por me rëndësi është që Republika e Maqedonisë së Veriut të fitojë, të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”, ka deklaruar Reka.
Ndërsa, Gordana Siljanovska, kandidatja e VMRO-së, ka thënë se asnjërin nga kundërkandidatët e saj nuk i sheh si armiq, ndërsa edhe pse femër ka theksuar se pret një “betejë kalorësish” me argumente.
“Bashkëpjesëmarrësit në zgjedhje nuk i konsideroj si armiq, kurse neve grave nuk na ngjanë të mos respektojmë etikën. Edhe pse jam grua, pres një betejë kalorësish me argument dhe jo lojëra bizantinësh. Shpresoj që fjalën e fundit do të kenë qytetarët”, është shprehur SIljanovska.
Në anën tjetër, Stevo Pendarovski, i cili pas pesë vjetësh i rikthehet garës presidenciale, është i bindur se fushata do të jetë demokratike.
“Nuk kam dilema, ne të tre do të bëjmë gjithçka në kuadër të një beteje demokratik, ashtu siç i takon një shteti që de fakto është anëtar i NATO-s dhe që së shpejti pret të bëhet edhe anëtar i BE-së”, ka theksuar Pendarovski.
Zgjedhjet organizohen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ), i cili pret që jo vetëm fushata elektorale, por edhe dita e zgjedhjeve të kalojë në festë dhe Maqedonia e Veriut të dëshmojë se ka kapacitet për të organizuar zgjedhje demokratike, të rëndësishme për procesin euro-integrues.
“Presim të kemi zgjedhje fer dhe demokratike duke marr parasysh se në qershor presim ftesën për të nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pra, presim zgjedhje të pastra dhe njëherësh i bëjmë thirrje partive politike, të cilat i përkrahin kandidatët, që të jenë në nivelin e detyrës dhe të mos shkelin normat ligjore, pasi bëhet fjalë për ardhmërinë e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar anëtari i KShZ-së, Enver Saliu.
Zgjedhjet do të mbahen në dy rrethe zgjedhore më 21 prill dhe 5 maj. Në rrethin e dytë kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, nëse në zgjedhje dalin mbi 40 për qind e trupit të përgjithshëm votues. Të drejtën e votës do të kenë rreth 1.8 milion persona. /Rel/