Nis gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së, dëgjohen dëshmitarët e parë (Live)
Ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në gjykimin e sotëm fillon procesi i paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorisë Speciale, përkatësisht dëgjimi i dëshmitarëve.
Seanca të tilla pritet të ketë më 12 dhe 13 prill. Seanca pritet të ketë më pas më 17, 18, 19 dhe 20 prill.
KLIKO KËTU për ta parë live seancën
Më 4 prill 2023 ka filluar gjyqi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pas më shumë se dy vjetësh.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.
Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.
Ndërkaq, në prill të 2022, ZPS-ja ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar, ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetisht.
Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është aktualisht aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut. Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në Aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.
Duke filluar më 3 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse dhe për këtë qëllim i janë caktuar më së shumti 5 orë. Më tej, është planifikuar që mbrojtësi i viktimave do të bëjë deklaratën e tij hyrëse që do të zgjasë më së shumti 45 minuta. Pas mbrojtësit të viktimave, do të bëjnë deklarata hyrëse secili prej katër ekipeve të Mbrojtjes. Është planifikuar që këto deklarata të bëhen më 4 prill.
140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar.