Nis hartimi i Strategjisë për Artin dhe Kulturën 2025-2030 në kryeqytet
Komuna e Prishtinës ka filluar me procesin për përpilimin e Strategjisë për Artin dhe Kulturën 2025-2030. Përmes këtij procesi, synohet të formulohet vizioni i qartë, objektiva konkrete dhe plan të veprimit që do të krijojnë një ambient më të përshtatshëm për zhvillimin e artit dhe të kulturës.
Në fjalën e tij, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka theksuar se kjo strategji përfshinë vitet 2025-2030, teksa tha se e njëjta vjen në kohën e duhur për shkak se synohet që kryeqyteti duhet të shndërrohet në qendër të artit e të kulturës.
“Strategjia jonë për Kulturën do të jetë një plan ambicioz, që synon jo vetëm të ruajë dhe të promovojë trashëgiminë tonë, por edhe të inkurajojë inovacionin dhe kreativitetin në kulturë. Ne do të punojmë për të forcuar lidhjet ndërkombëtare dhe të promovojmë kulturën tonë jashtë kufijve të Kosovës. Prishtina do të bëhet jo vetëm një destinacion për turistët që kërkojnë të njihen me kulturën tonë, por edhe një shembull frymëzues për qytetet e tjera në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Rama.
Drejtoresha e Kulturës, Arta Balaj, ka thënë se është shumë e rëndësishme përfshirja e komunitetit të ekspertëve dhe artistëve që i përkasin fushave të ndryshme të kulturës e artit.
“Duke qenë se po diskutohet po ashtu për ndarjen dhe shfrytëzimin e pronës publike, përkatësisht fondeve të përbashkëta, besojmë se është esenciale që të kemi objektiva, vizion dhe plan të veprimi të qartë. Prandaj kemi organizuar takimet me fokus grupe dhe ekspertë përgjatë pesë ditëve radhazi. Për ne është me rëndësi që vendimet e marra të rezonojnë me zërat e ndryshëm, këndvështrime të ndryshme, që e përbëjnë komunitetin tonë”, ka deklaruar Balaj.
Për ta forcuar këtë kryeqyteti ka ftuar në pjesëmarrje edhe Philip Kern, si njohës dhe kontribues i politikave kulturore në shumë vende botërore, i cili gjithashtu ka eksperiencë të jashtëzakonshme në përpilimin e strategjive për kulturë dhe art.