Nis heshtja zgjedhore

05 tetor 2019 | 08:17

Ora 07:00 e mëngjesit të sotëm shënon përfundimin zyrtar të fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Vendi tashmë ka hyrë edhe zyrtarisht në heshtje zgjedhore që zgjat 24 orë.

Fushata elektorale ka zgjatur 10 ditë, por kandidatët për kryeministër dhe ata për deputetë nga të gjitha partitë politike kanë zhvilluar edhe një para-fushatë të gjatë zgjedhore.

Pesë kandidatët për kryeministër në përmbyllje të fushatës e kanë vlerësuar si datë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit ditën e zgjedhjeve, 6 tetorin. Ndërkohë, institucionet janë bashkërenduar që procesi zgjedhor të shkojë sipas standardeve më të larta demokratike.

Në një konferencë të përbashkët për media, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli  Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Prokurori i Shtetit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e Kosovës dhe përfaqësuesit nga Demokracia në Veprim kanë nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit për procesin zgjedhor, për parandalimin e shkeljeve ligjore dhe hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve që bien ndesh me ligjin.

Të dielën do të garojnë 25 subjekte politike dhe të drejtë vote do të kenë 1 937 869 qytetarë të Republikës së Kosovës. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për këto zgjedhje është 1 067 kandidatë për deputetë, prej tyre 724 meshkuj dhe 343 femra.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik (MZhE) dhe kandidati për…