Nis hetimi penal ndaj John Bolton pas publikimit të librit
Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare në ShBA, John Bolton, po hetohet për zbulimin e mundshëm të informacionit të klasifikuar, kur ai publikoi një libër me kujtimet e tij në muajin qershor.
Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së filloi hetimet penale pasi nuk arriti të ndalonte botimin e librit, raporton BBC.
Bolton mohon të gjitha akuzat.
Në libër, Bolton e përshkruan administratën Trump si kaotike.
Bolton, i cili shërbeu si këshilltar i Sigurisë Kombëtare më 2018-19, gjithashtu pretendon se vendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, drejtohen nga dëshira e tij për rizgjedhje.
Në kohën e botimit të librit “Dhoma ku ka ndodhur: Kujtime nga Shtëpia e Bardhë”, presidenti Trump e bëri të qartë se ai donte që ish-ndihmësi i tij të ndiqej penalisht, duke e përshkruar atë si “jashtëzakonisht të paaftë” dhe ‘një gënjeshtar’.
Në një deklaratë, avokati i Boltonit, Charles J. Cooper tha se “ambasadori Bolton refuzon prerazi çdo pretendim që ai ka vepruar në mënyrë të pahijshme, e lëre më në mënyrë kriminale, në lidhje me botimin e librit të tij, dhe ai do të bashkëpunojë plotësisht, siç ka punuar gjatë gjithë kohës, me çdo hetim zyrtar për sjelljen e tij”./rel/