Nis implementimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe RTK-së
Grupi i parë i studentëve të Departamentit të Gazetarisë ka nisur punën praktike në Radiotelevizionin e Kosovës.
Kjo u realizua falë marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe RTK-së, e nënshkruar në korrik të këtij viti.
Praktikantëve iu uruan sukses prorektorja Njomza Llullaku, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, asistentja e departamentit të Gazetarisë, Blerta Dibrani, udhëheqësja e Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Komunikim në RTK, Gentiana Begolli dhe menaxheri për marrëdhënie ndërkombëtare në RTK, Bekim Shehu.
Praktika e studentëve do të vazhdojë edhe në muajt në vijim, me grupe të tjera të studentëve.
Gjatë takimit u diskutua edhe rreth implementimit të pikave të tjera të memorandumit, siç janë organizimi i aktiviteteve të përbashkëta dhe sigurimi i mbulueshmërisë mediatike për aktivitete që i shërbejnë interesit publik.