Nis intervistimi i Haradinajt
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hyrë në ndërtesën e Prokurorisë Speciale për Krime Lufte në Kosovë, ku do të intervistohet.
Haradinaj udhëtoi drejt Hagës, ku edhe vepron Prokuroria, të martën, katër ditë pasi dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, për shkak të, siç tha, ftesës për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.
Prokuroria Speciale është një nga dy dhomat e Gjykatës Speciale që i trajton pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës, në periudhën 1998-2000.
Haradinaj ka qenë komandant i UÇK-së dhe kjo është hera e dytë që ai jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit për t’u përballur me drejtësinë në Hagë.
Hera e parë ka ndodhur në vitin 2005, kur është akuzuar për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Haradinaj është liruar dy herë nga akuzat që lidhen me luftën: në vitin 2008 dhe pastaj në rigjykim të pjesshëm, më 2012, transmeton “Rel”.