Nis kampanja vetëdijësuese për kujdes gjatë vozitjes
Ka filluar realizimi i kampanjës vetëdijësuese kundër përdorimit të telefonave gjatë vozitjes e cila shërben si një thirrje e radhës për ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.
“EC Ma Ndryshe” ka organizuar Shkollën e Aktivizmit me nxënës të shkollave të mesme nga ku edhe ka dalë si shqetësim përdorimi i telefonave nga ngasësit gjatë vozitjes, duke cenuar sigurinë në trafik.
Si rrjedhojë e kësaj ka dalë edhe ideja për realizimin e kësaj kampanje vetëdijësuese nga nxënësja Kleita Koci, për kujdes të shtuar gjatë vozitjes.
Ky aktivitet është organizuar në bashkëpunim me KVRL- Gjakovë dhe qytetarët e qytetit të Gjakovës, me ç’rast është bërë shpërndarja e fletushkave që përmbajnë mesazhe sensibilizuese dhe statistika të aksidenteve që kanë ndodhur që nga viti 2017 në rajonin e Gjakovës dhe në tërë Kosovën.
/Epoka e re/