Nis konferenca për ecurinë e çështjes në rastin e liderëve të UÇK-së (live)
Ka nisur konferenca e njëmbëdhjetë për ecurinë e çështjes në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kujtojmë se në konferencën e 22 shkurtit është zhvilluar një debat i ashpër në mes të mbrojtjes së ish-drejtuesve të UÇK-së dhe Zyrës së Prokurorit së Specializuar në lidhje me dëshmitarët.
Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, kishte thënë se mbrojtjes duhet t’i lejohet qasje pa kufizime për intervistimin e dëshmitarëve.
Ai pati deklaruar se në situatën aktuale dhe me masat mbrojtëse të propozuara nga prokuroria nuk ka barazi në mes të palëve në procedurë.
“Nuk ka barazi të palëve. Flasim për një gjykatë që është e Kosovës dhe dispozitat që duhet të ndiqen. Kjo është shumë e qartë në kuadrin e kësaj gjykate. Procesi gjyqësor kërkon që mbrojtja të përfshihet në të gjithë gamën e shërbimeve. Pra, mbrojtja duhet të sigurojë pa kufizime mbrojtjen e një personi, mbrojtjen e provave dhe përgatitjen për marrjen në pyetje. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut thotë se marrja në pyetje duhet të bëhet pa kufizime, ndërsa ndryshe vepron Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS)”, kishte thënë Keohe.
Më tutje, ai kishte thënë se 157 dëshmitarë të ZPS-së kanë masa mbrojtëse. “Dëshmitarët në listën e dëshmitarëve nuk janë dëshmitarë në listën e ZPS-së. Pikë. Janë dëshmitarë që duhen marrë në pyetje nga të gjitha palët. Kjo është një shtesë paligjshmërie. Kemi 326 dëshmitarë, pothuajse 50 për qind kanë masa mbrojtëse. Pra 157 dëshmitarë nga 326 kanë masa të tilla”, kishte deklaruar ai.
Avokati i Thaçit kishte thënë se absurditeti qëndron në faktin se ZPS-ja ka kërkuar masa mbrojtëse edhe për zyrtarë qeveritarë, ndërkombëtarë, si dhe oficerë ushtarakë.
“Janë nën masat mbrojtëse të ZPS-së. Kam lexuar dëshminë e një dëshmitari që përfaqësohej nga një avokat i zoti në Britani. Pra, nga të gjithë këta persona, ZPS-ja po dëshiron ta përjashtojë mbrojtjen që të bëjë intervistimin e tyre. ZPS-ja thotë se kërkon që ta shmangë ritraumatizimin e viktimave. A po e thotë me seriozitet ZPS-ja se edhe gjeneralëve duhet t’ua mbrojë anën psikologjike? Sigurisht që jo”, pati deklaruar avokati i Thaçit.
Ndërsa avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, kishte hedhur akuza të rënda ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Gjykatën Speciale në lidhje me protokollin e propozuar nga kjo zyrë për kontaktet me dëshmitarët. Emmersoni pati deklaruar se pretendimet e ZPS-së për ndërhyrje të mundshme të mbrojtjes te dëshmitarët janë qesharake dhe fyese.
“Janë komente fyese. Nuk përputhen fare me rregullat dhe dua ta trajtoj sepse është koment serioz. Ju duhet ta shikoni mënyrën se si paraqitet çështja te prezumimi i pafajësisë. Çështja kryesore është proporcionaliteti i kësaj që propozohet. Prokurori tha që nuk e dinte nëse e kishte të drejtën t’i përfaqësonte viktimat. Ai nuk e ka këtë të drejtë. Siç thotë prokuroria se për çfarë është ky protokoll dhe cila është metodologjia? Prokuroria thotë se do ta shmangë ritraumatizimin e dëshmitarëve dhe ta ruajë integritetin e tyre fizik”, ka thënë ai. Ai pati kërkuar që të përjashtohet nga procesi gjyqësor çdo person i cili nuk është viktimë.
Më tutje, avokati i Veselit kishte thënë se ZPS-ja ka orkestruar takime me ambasadorët evropianë për çështjen e të akuzuarve dhe, sipas tij, kjo është diçka shokuese.
“Sipas tyre, ne nuk duhet ta kemi besën dhe ne jemi njerëz jo të duhur. Çështjet e ngritura nga mbrojtja kundër prokurorisë lidhen me deklarata jo të sakta lidhur me kohëzgjatjen e procedurave për periudhën paraprake dhe shanset e lirimit paraprak. Prokuroria e ka keqorientuar gjykatën në shumë mënyra. Prokuroria ka orkestruar takimin e ambasadorëve evropianë në lidhje me të akuzuarit. Kemi pasur zhvillime të tmerrshme sa i përket sjelljes së prokurorisë. Është një shok dhe tronditje se si prokuroria është lejuar të sillet në këtë mënyrë. Të thuash se unë jam një person që do të kryeja krim në përgatitjen e mbrojtjes është e turpshme. Ky është një shembull se si prokuroria ka humbur çdo arsye dhe logjikë dhe është e dëshpëruar”, ka thënë Emmersoni.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi gjenden në paraburgim në Hagë nga 5 nëntori i vitit 2020. Qysh në fillim të këtij procesi gjyqësor ata janë deklaruar të pafajshëm nga të gjitha pikat e aktakuzës. Përpos Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, në Gjykatën Speciale gjenden edhe Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.