Nis konferenca statusore në rastin ndaj Gucatit dhe Haradinajt
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur konferenca statusore në rastin ndaj krerëve të Organizatës të Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Haradinaj ka bërë kërkesë që të mos marrë pjesë në këtë seancë. Ai po ashtu kishte bërë një kërkesë të ngjashme edhe në konferencën paraprake, të mbajtur më 8 janar, në shenjë “proteste për mënyrën se si është trajtuar”, kishte thënë pala mbrojtëse e tij.
Konferenca statusore apo konferenca mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në të, Zyra e Prokurorit të Specializuar tregon se çfarë lloji të provave disponon.
Më 11 dhjetor, 2020, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka konfirmuar aktakuzën ndaj kreut të OVL të UÇK-së, Hysni Gucatit dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinajt.
Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj akuzohen për vepra penale “kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.
Këto vepra penale, sipas Dhomave të Specializuara, dyshohet se janë kryer në periudhën 7-25 shator, 2020.
Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj “zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tri konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe nëpërmjet shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”.
Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
Që të dy janë arrestuar më 25 shtator në Prishtinë dhe që atëherë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.
OVL e UÇK-së në shtatorin e kaluar tha se ka pranuar, në mënyrë anonime, dosje që lidhen me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Përmbajtja e këtyre dosjeve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike apo jo.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.