Nis kremtimi për 12-vjetorin e Pavarësisë
Kurdo që përmenden datat e rëndësishme historike, menjëherë rrëqethemi e krenohemi njëkohësisht dhe na shkon në mendje të bëjmë diçka në kujtim për të rënët e atdheut.
Mësimdhënësit dhe nxënësit tanë janë të parët që nisin kremtimin e festave kombëtare, e kremtimin për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës e kanë nisur sot nxënësit kosovarë, shkruan “Epoka e re”.
Në vigjilje të kësaj dite të shënuar, nxënësit kanë mbajtur programe kulturore e artistike. Ndër ta, kremtimin e nisën edhe nxënësit e shkollës “Hilmi Rakovica” në Prishtinë.
Për t’u kujtuar dëshmorët dhe përpjekjet e tyre të pareshtura për liri, ata përgatitën një program të pasur kulturor e artistik. Poezitë, recitalet, monologët, këngët dhe vallet e veçanta e karakterizuan programin e 17 Shkurtit.
Paraqitja e tyre ishte me plot mbresa të forta dhe simbolizonte sakrificën e të rënëve për një shtet të pavarur e demokratik.
Fotografitë e paraqitura janë vetëm një pasqyrim i ditës së sotme të aktiviteteve në këtë shkollë./Epoka e re/