Nis Kuvendi Zgjedhor, Mustafa thotë se LDK’ja do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme
Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar Kuvendin IX Zgjedhor, ku do të votohet kryetari i partisë.
Aktualisht, në këtë Kuvend Zgjedhor po e mban fjalën e tij kryetari aktual, Isa Mustafa. Mustafa është shprehur i bindur se LDK’ja do t’i fitoi zgjedhjet e ardhshme.
Ndryshe, ky është Kuvendi i IX Zgjedhor që mban Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky proces disa mujor është shoqëruar edhe me disa incidente, si rrahje me grushte e me karrige, të cilat gjatë tërë kohës janë minimizuar si zhvillime nga zyrtarë të kësaj partie.
Në fillim të këtij procesi, emrat e disa zyrtarëve të LDK’së ishin përmendur si pretendentë për të marrë udhëheqjen e partisë. Në mesin e tyre ishin Lutfi Haziri, Agim Veliu, Vjosa Osmani, Gazmend Muhaxheri, Vjosa Osmani, Kujtim Shala, Gazmend Muhaxheri dhe Fatmir Sejdiu. Përveç këtij të fundit, të gjithë të tjerët janë tërhequr nga gara.
Ndërkohë, vetë zyrtarët e LDK’së kanë deklaruar se janë marrë vesh për një kandidatë konsensual, që pritet të jetë kryetari aktual, Isa Mustafa.
Mustafa, në dhjetor të vitit të kaluar kishte dhënë shenjat e para se me gjithë problemet shëndetësore dhe moshën do të synojë prapë udhëheqjen e LDK’së.
Ky Kuvend Zgjedhor do të jetë me dyer të mbyllura për mediat. E tek pas punimeve të Kuvendit pritet një konferencë para gazetarëve.
Edhe në Kuvendin e kaluar, në maj të 2015-s, në të cilin probleme kishte pasur me Vjosa Osmanin të cilës i ishte mohuar kandidimi si dhe me Donika Gërvalla Schartz, mediat ishin larguar nga salla, në momentin që kishin nisur pakënaqësitë mes delegatëve për përfaqësim në Këshillin Drejtues të partisë.
Isa Mustafa ishte rizgjedhur kryetar, me aklamacion në këtë Kuvend. Ndërsa për herë të parë ai ishte zgjedhur në vitin 2010, derisa kundërkandidat e kishte kryetarin e deriatëhershëm Fatmir Sejdiu. E ky i fundit ka shprehur kandidaturën për t’u kthyer në krye të LDK-së.
LDK-ja prej themelimit e deri më 2007 ishte forca kryesore politike në Kosovë. Kjo parti ka fituar të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në Kosovë si lokale ashtu edhe parlamentare në vitet 2000, 2001, 2002 dhe 2004.
Por, situata në këtë parti ndryshojë pas vdekjes së kryetarit të parë të këtij subjekti politik, Ibrahim Rugovës. Që prej atëherë, LDK’ja ka dalë partia e dyrë nëpër zgjedhje. /Gazeta Express